Filipçe pranon gabimin për ndryshimet në Kodin Penal

Filipçe pranon gabimin për ndryshimet në Kodin Penal

Adrian Kerimi

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe pranon se LSDM-ja dhe BDI-ja gaboi në ndryshimin e Kodit Penal. Filipçe, partia e të cilit deri para pak ditësh e mbronte Kodin Penal të miratuar në shtator të vitit kaluar dhe për versionin e të cilit thirreshin në praktika evropiane, tani kërkon nga Qeveria që të iniciojë ndryshime të reja dhe t’i kthejë dispozitat për shpërdorim me detyrën zyrtare. Ai thotë se kjo është kërkesë e qytetarëve dhe se partia e tij është e gatshme të mbështesë sjelljen e një Kodi të ri Penal me konsensus.

“Ka një Kod Penal të ri, i gatshëm i cili ishte hartuar në vitin 2017 nga Renata Deskoska. Është ligj i ri dhe i apeloj Qeverisë që ta sjell në diskutim. Ai është hartuar me ekspertë të huaj dhe është bazuar në Kodin Penal të Gjermanisë dhe konsideroj se duhet sa më shpejtë të debatohet publikisht dhe bashkërisht ta miratojmë me konsensus. Nuk mjafton të themi vetëm se kemi gabuar. Ja po shkojmë një hap tutje ta përmirësojmë atë gabim që bëmë vitin e kaluar”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Kryeministri Hrsitjan Mickoski i është përgjigjur me ironi gatishmërisë së Filipçes për Kod të ri Penal. Mickoski tha se para ndryshimeve në Kodin Penal, ish zyrtarët e LSDM-së duhet të paguajnë harxhimet nga veprat e vjetërsuara.

“Thonë se krijuan një Kod të ri Penal, por çfarë të bëjmë me ato vepra që janë të vjetruara dhe për të cilat qytetarët paguajnë dëmshpërblim, a do t’i kthejnë paratë e vjedhura për ato vepra që janë të vjetruara, sepse tani keni akte të vjetruara dhe në bazë të kësaj, ata kërkojnë dëmshpërblim dhe marrin nga buxheti i shtetit. Janë miliona euro, janë paratë tuaja. Ja, le t’i nxjerrin nga xhepi dhe të shesin një pjesë të pasurisë së tyre dhe për Zotin, kanë, pasuria e ish-zyrtarëve të LSDM-së është e madhe dhe le ta kthejnë në buxhet”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut adresoi kritika të ashpra për ndryshimet në Kodin Penal duke e cilësuar këtë veprim të përbërjes së kaluar qeveritare si një goditje të rëndë ndaj gjyqësorit dhe motivim të korrupsionit.

“Ekziston një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit, megjithatë zbatimi i saj mbetet prapa. Rreziku i lartë i korrupsionit mbizotëron në shumë fusha. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në rastet e korrupsionit të pozitave të larta. Kufizimet e burimeve dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kombëtare pengojnë ndjekjen efektive të korrupsionit”, thuhet në raportin e Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

Puna për Kodin e ri Penal kishte nisur në dhjetor të vitit 2020 me të gjithë aktorët vendas e ndërkombëtar, por më shtator të 2023, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së me procedurë të përshpejtuar dhe pa konsultime paraprake miratoi disa amendamente rreth veprave penale të lidhura me korrupsionin, duke reduktuar dënimet maksimale për krime specifike të lidhura me korrupsionin si shoqërimi kriminal dhe shpërdorimi i detyrës, duke dhënë një efekt akoma më të madh për rrezikun e pandëshkueshmërisë. Pikërisht për këtë efekt, ndryshimet në Kodin Penal u kritikuan ashpër nga Komisioni Evropian dhe palë të ndryshme interesi. Ndryshimet e miratuara në shtator çuan në vjetërsim absolut disa vepra penale që i referoheshin akuzave të ish Prokurorisë Speciale. Gjatë miratimit të dispozitave lehtësuese, Qeveria nuk mbajti llogari për shpenzimet juridike, aq më pak për mundësinë e padive ndaj shtetit për ndjekje penale të pa drejtë ndaj ish zyrtarëve të korruptuar. Harxhimet për mbrojtjet juridike ndaj të akuzuarve dhe masat e kujdesit të caktuara aso kohe ndaj dhjetëra funksionarëve mund t’i kushtojnë shtetit miliona euro nëse Gjykata Ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut sjell aktvendime për ndjekje penale, gjykime dhe paraburgime jo ligjore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button