Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut pas skandalit me presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit

Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut pas skandalit me presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit

Ministria e Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar sqarim të plotë për skandalin me presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thonë nga Ministria e Jashtme dhe diasporës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se përveç paraqitjes së notës së protestës, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, mbrëmjen e 1 gushtit, e ka thirrur në bisedë sqaruese ambasadoren maqedonase në Kosovë, ndërsa është takuar edhe me zv.kryeministrin Arben Fetai dhe ka realizuar bisedë telefonike me ministrin e jashtëm të Maqedonisë Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës ruajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të ndershëm dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Ky ishte reagimi i parë i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë. Në komunikatë thuhet se në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup.

“Ministria e Jashtme tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha Institucionet kompetente lidhur me ngjarjen. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me MPB-në, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thonë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.

Për skandalin me presidenten Osmani, kanë vazhduar përplasjet politike në vend. BDI-ja opozitare në reagim thotë se të gjithë eksponentët e Vlen kishin nga një skenar arsyetues, ndryshe nga njëri tjetri, dhe që të gjithë u demantuan nga Presidenca e Kosovës, nga MPB dhe nga koncesioneri TAV.

“Ky skandal, medoemos duhet zbardhur gjer në fund dhe përgjegjësi politike duhet të bartin menjëherë uzurpatorët jolegjitim të institucioneve Astrit Iseni nga MPB dhe Afrim Gashi nga Kuvendi”, reaguan nga BDI.

BDI-ja me vetëdije dhe me qëllim përpiqet të manipulojë me opinionin publik. Me kundërpërgjigje nga VLEN

“Nuk është rastësi që dje përmendëm se nuk do të habitemi nëse njerëz të afërt me personin A.G., i njohur për korrupsion të madh politik dhe bizneset e kazinove, janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në incidentin e aeroportit. Cili punonjës i aeroportit, që publikon fotografi në rrjetet sociale me personin A.G., është shfaqur në vendin e incidentit dhe me çfarë qëllimesh dhe arsyesh?”, theksuan nga VLEN.

Edhe LSDM-ja opozitare nëpërmjet një komunikate kërkon që të zbardhet e vërteta rreth incidentin me presidenten e Kosovës në aeroportin e Shkupit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button