LSDM kërkon paga më të larta për mësimdhënësit

LSDM kërkon paga më të larta për mësimdhënësit

Gazetar: Mihajlo Donev

Opozita kërkon rritjen prej 12 për qind të pagave të mësuesve në shtator dhe pretendon se në buxhet ka para për këtë. LSDM-ja tha sot se ministrja e Arsimit Janevska si opozitare deklaronte se duhet të ketë rritje të pagave të mësimdhënësve, ndërsa tani po manipulon me ta.

“Ajo dhe DPMNE kanë shkelur premtimet që ua kanë dhënë mësimdhënësve dhe qytetarëve, që do të thotë poshtërim dhe manipulim i mësimdhënësve dhe të gjithë punonjësve në arsim. Fakti që ka mjete, vërtetohet nga luksi i kryeministrit dhe ministrave që udhëtojnë me biletat më të shtrenjta të avionit. Kjo është konfirmim shtesë se bëhet fjalë për zgjedhjen e prioriteteve. Për DPMNE-në mësuesit nuk janë prioritet”, tha Daniella Nikollova, deputete e LSDM-së.

Ministrja e Arsimi Vesna Janevska një ditë më parë tha se pagat e mësimdhënësve do të rriten në mars të vitit të ardhshëm dhe nëse e lejon rishikimi i buxhetit, paralajmëroi rritje të re deri në fund të vitit 2025. Janevska tha se kanë trashëguar buxhet të zbrazët nga Qeveria e kaluar, por theksoi se do të luftojë për rritjen e pagave të stafit mësimdhënës gjatë mandatit të saj.

“Nëse do të mundja, nesër do t’ua rrisja rrogën, jo me 12 për qind që kërkon sindikata, mundësisht me 30, 40, 50 për qind, sepse e di peshën dhe presionet me të cilat përballen mësuesit dhe nuk ka dyshim që duhet të kenë paga më të larta. Unë po them vetëm mundësitë reale, po them atë që e kemi trashëguar nga qeveria e kaluar”, tha Vesna Janevska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Në ndërkohë, tashmë janë duke u bërë përgatitjet për vitin e ri shkollor, i cili do të fillojë pas një jave, po shpërndahen tekste nëpër shkolla, ndërsa siç paralajmëroi Janevska, këtë vit për herë të parë do të ketë tekste të reja edhe për lëndët profesionale./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button