Komuna e Tetovës me nismë të re për t’i dhënë fund ndërrimit të emrave të rrugëve

Komuna e Tetovës me nismë të re për t’i dhënë fund ndërrimit të emrave të rrugëve

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Komuna e Tetovës riaktualizon çështjen e ndryshimit të emrave të rrugëve. Kjo nismë në të shkuarën është hapur disa herë, madje duke u miratuar nga shumica e këshilltarëve, por asnjëherë nuk mori epilog ligjor. Në terren tabelat e rrugës “Marshal Tito” e “JNA” janë ndryshuar, por në dokumente ende ekzistojnë emrat e vjetër. Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami është shprehur i bindur se kësaj radhe emrat e rrugëve do miratohen edhe nga Ministria e Transportit dhe nga Kadastra. Ndërkohë zgjidhje po kërkohet edhe për rreth 300 rrugë që nuk kanë fare emra.

“E kemi mirëkuptimin e gjithë faktorëve politik e shoqëror për këtë çështje kaq të rëndësishme për qytetin tonë. Që nga ardhmja ime në komunë, një nga problemet që e kemi trajtuar ka qenë edhe kaosi në emërtimin e rrugëve. Shumë rrugë e lagje në brendi të komunës së Tetovës kanë qenë pa emërime adekuate. Andaj ngritëm një grup pune tash e tre muaj më parë për identifikimin e rrugëve në Tetovë dhe si rezultat i kësaj, janë identifikuar afër 300 rrugë që janë pa emra, me numra apo emërtime të përkohshme që nuk janë konform ligjit. Në procedurë është edhe miratimi i një Ligji që parasheh obligimin e gjitha institucioneve që të përdorin emërtimet që i përcakton komuna”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Kanë reaguar këshilltarët e opozitës. Liridon Disha nga grupi i këshilltarëve të BDI-së kërkoi nga Kasami që të dëshmojë fuqinë në Qeveri dhe ti miratojë emrat. Megjithatë ai nuk dha sqarime se përse tash e dy dekada, derisa në pushtet ishte partia e tij nuk u zgjidh kjo çështje.

“BDI i ka bërë tashmë ndryshimet e emrave të rrugëve, dhe ja edhe aktvendimi i këshillit me ndryshimet e emrave që në kohën e kreut Hazbi Lika dhe Resi Abdurahmani. Tash e ka shansin qeveria e re VLEN VMRO, ta zbatojnë këtë që është bërë që në vitin 2006. Kjo është arritur me konsensus mes maqedonasve dhe shqiptareve ku ka emra me rilindësit tonë e ata maqedonas në bashkëpunim me të dyja palët”, tha Liridon Disha, këshilltar komunal, BDI.

Këshilli komunal sot votoi formimin e komisionit nëntë anëtarësh, i cili do punoj në drejtim të emërimit të rrugëve që janë vetëm me numra si dhe ndërrimin e emrave të disa rrugëve. Do të merren parasysh edhe propozimet për emrat e rrugëve të dhëna nga Shoqata e Akademisë shqiptare në Tetovë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button