Ndalohet kontrabandisti i emigrantëve, gjenden 15 persona nga Kina

Ndalohet kontrabandisti i emigrantëve, gjenden 15 persona nga Kina

Gazetar: Avni Tahiri

Pesëmbëdhjetë emigrantë nga Kina, përfshirë edhe një të mitur, mbrëmjen e djeshme kanë tentuar të kalojnë ilegalisht pikën kufitare Bogorodicë me ndihmën e një kamionisti nga Bosnja dhe Hercegovina. Në këtë aksion policor është privuar nga liria një 38 vjeçar me inicialet M.A., shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Me datë 28.08.2024 në ora 22:45, në vendkalimin kufitar Bogorodicë, në dalje nga shteti, punonjësit e policisë kanë privuar nga liria M.A. (38) nga Bosnja dhe Hercegovina i cili ka drejtuar kamionin e tipit “Mercedes” me targa të Bosnjës. Pasi gjatë kontrollit të kryer në rimorkion e automjetit janë gjetur 15 emigrantë nga Kina, njëri prej të cilëve është i mitur”, njoftojnë nga Ministria për Punë të Brendshme.

Nga MPB shtojnë pesëmbëdhjetë emigrantët janë transferuar në Qendrën për pranim dhe transit në Gjevgjeli. Ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokurori publik nga Prokuroria Publike Shkup dhe për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se 38 vjeçari me inicialet M.A. ka kryer veprën penale “kontrabandë me emigrantë” nga neni. 418-b paragrafi 4, dhe në lidhje me paragrafin 2 të ligjit penal, kundër M.A. do të dorëzohet raporti përkatës. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button