Procesi i Berlinit në debat para deputetëve: Marrëveshjet janë nënshkruar, por nuk zbatohen

Procesi i Berlinit në debat para deputetëve: Marrëveshjet janë nënshkruar, por nuk zbatohen

Gazetare: Fatlume Dervishi

Procesi i Berlinit duhet të pësojë një shtysë tjetër, përmes Kuvendit të vendeve anëtare. Kështu beson Instituti për Demokraci Societas Civilis të cilët para deputetëve shpalosën gjetjet e tyre. Arritja më e madhe e procesit të Berlinit është roamingu i lirë në rajon por nuk është i mjaftueshëm, thotë kreu i kësaj organizate, Marko Troshanovski.

“Më të njohura janë marrëveshjet për lëvizje të cilat e dimë se janë nënshkruar, për lëvizje me letërnjoftime, njohje të diplomave dhe kualifikimeve por edhe pse janë nënshkruar, në nivelet më të ulta ku ata duhet të ëprpunohet dhe të harmonizohen, e gjithë kjo nuk është bërë. Vullneti i shteteve ekziston pjesërisht por është edhe problem sepse kontestet bilaterale mes Serbisë dhe Kosovës, pjesërisht edhe me Bosnjën i pamundësojnë këto përfitime të përbashkëta. Në pjesën e kapaciteteve sigurisht se kemi problem në nivel të rajonit. Largimi i kuadrove nga shërbimet administrative që duhët të zbatojnë planin aksionar është i madh”, tha Marko Troshanovski, Instituti për Demokraci Societas Civilis.

Vendi ka miratuar dy plane veprimi në vitin 2021, një për tregun e përbashkët rajonal ku hyn dhe dixhitalizimi, për të cilin afatet janë duke skaduar dhe një tjetër për agjendën e gjelbër që ka afat 10 vjeçar për zbatim.

“Nga pjesa e tregut të përbashkët rajonal, në pjesën e dixhitalizimit, mund të them se plani aksionar mbaron këtë vit dhe pjesa më e madhe e aktiviteteve kanë përfunduar megjithatë mungon zbatimi i disa aspekteve të tjera kyçe si në fushën e aftësive dixhitale, sidomos te grupet e margjinalizuara, siguria kibernetike, sidomos te administrata publike”, deklaroi Anamarija Velinovska, Instituti për Demokraci Societas Civilis.

Kreu i Kuvendit pranon përgjegjësinë që ka ligjvënësi në zbatimin e detyrimeve që vinë nga Procesi i Berlinit.

“Dimenzioni parlamentar është më rendësi kyçe për të siguruar kontroll demokratik, transparencë dhe llogaridhënie në zbatimin e projekteve që dalin nga ky proces. Parlamentet në të gjitha gjashtë vendet e Procesit janë vendi i duhur për diskutim për sfidat dhe zgjidhjet e mundshme, për ndërtimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal, për përfshirjen e shoqërisë civile, për promovimin e agjendës së integrimit…”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Gjermania, si nismëtare e këtij Procesi vite më parë, pranon rëndësinë e tij, në lehtësimin e rrugës integruese në BE.

“Për ata që duan ta lëvizin Ballkanin Perëndimor më afër BE-së, Procesi i Berlinit ofron një kornizë të mirë, jo një alternativë, motor që siguron hapa konkret dhe më të shpejtë drejt integrimit në BE, që është qëllimi kryesor”, tha Petra Dreksler, ambasadore e Gjermanisë.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button