Ish ministri grek gjendet i vdekur nga rojet bregdetare

Ish-ministri grek, Sifis Valiraqis, është gjetur i vdekur nga rojet bregdetare greke në afërsi të Eretrias, 40 km në veri të Athinës. Sipas rojeve bregdetare ai u gjet në det pak metra larg motoskafit të tij, i cili ende ishte me motor të ndezur. Ka qenë bashkëshortja e Valiraqis ajo e cila njoftoi autoritetet pasi ai nuk ishte kthyer në banesën e tij.

Menjëherë në zonë kanë mbërritur forcat e rojes bregdetare,të cilat fillimisht gjetën skafin tip gomone, motorët e të cilit ishin ende në punë, ndërsa pak me tej u gjet trupi i pa jetë i tij. Dyshimet e para janë të rënies nga mjeti lundrues,dhe humbje të jetës si pasojë e ipotermisë, pasi në zonë temperatura ishte rreth 6 gradë celsius. Sifis Valiraqi ishte politikan tepër i njohur i së majtës Greke.

Valiraqi ishte në listën e personave të cilësuar si tepër i rrezikshëm prej diktaturës Helene dhe është burgosur disa herë. Ai mundi të arratiset nga burgu në Greqi, por u kap gjatë tentativës së tij për të kaluar në Jugosllavi në vitin 1971. Po atë vit u burgos sërish në Korfuz, nga ku mundi të arratiset dhe të kalojë me not në Shqipërinë komuniste, ku kërkoi azil politik.

Fillimisht u akuzua prej sigurimit si agjent grek dhe u dënua me 3 vjet punë të detyruar në Fier, por në vazhdim u lirua prej qeverisë së Enver Hoxhës falë ndërhyrjes së komunistëve maoistë të Kinës,të cilët ndërmjetësuan lirimin e tij. Vitet e Valiraqis në Shqipëri ishin të qeta, dhe me rënien e juntës,u rikthye sërish në Greqi. Ai mbajti marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë dhe miqtë e tij në Shqipëri.

Valiraqis njihej si mik i shqiptarëve, madje ishte mbrojtësi i të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetonin në vend. Disa herë kishte kritikuar operacionet fshesa, dhe ishte një ndër inicuesit e ligjit për pajisjen e emigrantëve shqiptarë me leje qëndrimi në vend.

Nga viti 1977-2003 zgjidhej rregullisht deputet i Hanisë në Kretë. Ai shërbeu si ministër i transportit dhe ministër i rendit,ndërsa u largua përfundimisht nga politika në vitin 2003. Figura e Valiraqit ishte e diskutueshme në qarqet politike vendase dhe ato europiane, ndërsa amerikanët dyshonin se ai ishte shef i organizatës terroriste 17 Nëntori.

LEXO EDHE:

Back to top button