Krstevski: Gostivari ekip mjaft cilësor, por ne kërkojmë vazhdimin e serisë pozitive

Skuadra e Shkëndijës nga Tetova, në lagjen Maxhari do të ndeshet me Gostivarin, në duelin e xhiros së 7-të në Ligën e Parë Fitbollistike të Maqedonisë. “Kuqezinjtë” hyjnë në këtë përballje si lider kundër Gostivarit, i cili mban vendin e dytë, andaj me të drejtë thuhet se është derbi për kreun e renditjes. Sulmuesi anësor Vane Krstevski ka folur për mediat para ndeshjes, duke paralajmëruar me tone optimiste takimin me Gostivarin, që luhet të mërkurën në orën 15:00 në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit.
“Të them se atmosfera në ekip është e shkëlqyeshme. Nga dita në ditë është më mirë. Jemi të lumtur për fitoren 5:1 ndaj Voskës, por kjo nuk na jep të drejtë të fluturojmë në re të them. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës që na pret me Gostivarin. Mendoj se Gostivari është vërtet ekipi kualitativ, e kanë treguar në ndeshjet paraprake. Mirëpo qëllimi ynë është të dalim dhe të luajmë sa më mirë që mundemi për të ruajtur atë vend të parë dhe të vazhdojmë serinë pozitive që e kemi bërë në ndeshjet paraprake, ” thekson Krstevski.
“Secili shpreson në rezultat pozitiv, edhe ne. Vetëm duhet të japim maksimumin, mendoj se do të jetë mirë. Futbollistët nga dita në ditë luajnë më mirë, hyjmë në formë më të mirë. Kemi disa lojtarë që na u bashkuan më vonë, por mendoj se me kalimin e kohës do të kyçen dhe do të komponohen me ekipin dhe do të jetë edhe më mirë”, tha ai.