Kryetarët e Komunave dhe ministrat shkojnë e vijnë, por problemi i kanalit të Haraçinës assesi të zgjidhet
Kryetarët e Komunave dhe ministrat shkojnë e vijnë, por problemi i kanalit të Haraçinës assesi të zgjidhet

Gazetar: Avni Tahiri
Kanali i hapur Haraçinës vazhdon të shqetësoj banorët të cilët jetojnë afër tij. Me premtimin për zgjidhjen e këtij problemi disa dekadësh në kolltukun e kësaj komune erdhën e shkuan disa kryetarë.
Banorët e Haraçinës thonë se kanë humbur besimin se kjo çështje do të merr fund. Ata kërkojnë ndihmë nga Qeveria për të zgjidhur këtë problem.
“Kjo u deshtë tc përfundoj shumë kohë më herët e jo tani. A shpresoni se do të përfundoj njëherë e përgjithmonë? Rëndë është me këtë popull, i marrin paratë fillojnë punojnë dhe pas 10 ditëve e lanë shkojnë në vend tjetër dhe vinë këtu përsëri”, tha një qytetar.
“Shumë ere e keqe, nga mëngjesi e deri në mbrëmje, kam problem me fëmijët shkaku i astmës, pleqtë po ashtu, kjo pengon shumë por qeveria e ka lanë anash komunën e Haracinës dhe nuk ka investim, kryetari Ridvani mundohet me investimet e shoqatave sa mundët dhe komuna është e varfër“, shtoi një tjetër qytetar.
Edhe kreu i Komunës Ridvan Ibrahimi i kërkoi Qeverisë që të ndihmojë në këtë projekt. Ai priti në Haraçinë zv.kryeministrin Izet Mexhiti, të cili i kërkoi ndihmë edhe për projektet e tjera infrastrukturore në këtë Komunë, e cila sipas tij është lënë në harresë.
“Problemet e kanalizimit dhe ujësjellësit nuk ngelin vetëm në Haraçinë, dmth ato barten në komuna të tjera, siç e përmenda, zona industriale më e fuqishme në shtetin tonë, të përfundoje në ujërat e zeza të komunës së Gazi Babës dhe Haraçinës, kjo nuk duhet të lejohet. Bëjë thirrje urgjente që qeveria të ndajë mjete për këto se janë gjëra elementare. Nuk po flasim, nuk po kërkojmë ne këtu parqe dhe ku e di unë ringishpill, jo bre, gjërat elementare, për deri sa mungojnë këto, mendoj se është e pahijshme të flasim për gjëra tjera”, tha Ridvan Ibrahimi – Kryetari i komunës së Haraçinës.
Mexhiti tha se për kanalin e hapur, Qeveria ka ndarë 64 milion denarë dhe se pjesa e kanalit në rrugën kryesore do të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm
“Për momentin realizohet një pjesë e kanalit periferik me mbështetje financiare nga Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në vlerë prej 64 milion denarë, me këto mjete intervenojmë në pjesën e urës në rrugën rajonale Shkup – Kumanovë në gjatësi prej 300 metra dhe projekti duhet të përfundoj në qershore të vitit 2025. Sipas asaj që vërejtëm në terren planit dhe deri tani ka përfunduar 38 % e projektit”, theksoi Izet Mexhiti – Zv. Kryeministër i Parë i RMV dhe Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Pos krerëve të komunave, premtime për zgjidhjen e problemit me kanalin e Haraçinës kishin dhënë pothuajse të gjithë ministrat e ekologjisë që prej dy dekada. Përfundimi i këtij projekti për banorët është me rëndësi të veçantë pasi pas çdo reshje të shiut u përmbyten tokat pjellore ndërsa gjatë verës kundërmon erë të keqe. Kreu i Komunës njoftoi Mexhitin gjithashtu se banorët përballen edhe me mungesë të ujësjellësit që sipas Ibrahimit është projekt që komuna nuk mund ta përballoj financiarisht duke kërkuar ndihmën e Qeverisë./Alsat.mk