Në Prishtinë u mbajt ekspozita me piktura personale nga Skënder Idrizi

Në Prishtinë u mbajt ekspozita me piktura personale nga Skënder Idrizi

Gazetare: Ilmie Zhaku

Në Prishtinë u mbajt ekspozita me piktura personale nga Skënder Idrizi, ngjarja e vitit sipas kritikëve të artit Në galerinë e arteve në Prishtinë u mbajt një ekspozitë me piktura personale nga profesori dhe piktori Skënder Idrizi.

Ekspozita u mbajt me rastin e 70 vjetorit të lindjes dhe 50 vite të krijimtarisë artistike. Në ekspozitë të pranishmit patën mundësi të shohin 70 veprat e piktorit, një numër që lidhet me vitin jubilar të lindjes së tij.

Të pranishëm në ekspozitë kishte personalitete të njohur, ndër ta edhe përfaqësues nga ambasada e Sllovenisë në Kosovë. Më herët, piktori Skënder Idrizi ka realizuar një ekspozitë në Lubljanë, me rastin e përvjetorit të minatorëve të Trepçës.

“Mund të them ose ta quaj se është ngjarja e vitit 2024, është një formulim, rrugëtim i tërë dhe itinerar i tërë, i pafund, një trend i tërë, në kuptimin e eksplorimit dhe dinamikave dhe shtrirjes së tematikave me të cilin është rritur piktori Skënder Idrizi i cili ka arrit në atë moshën më kulminante, në fushën e krijimtarisë në pikturën për të cilën është këtu, vula autoriale në të cilën ai ka trajtuar këtu ku i kemi vendos 70 punime. Kjo tejkalon formulën e Trepçës” – theksoi Naser Shatrolli, kritik arti dhe kurator.

Skënder Idrizi gjithë jetën e tij ka punuar në Mitrovicë, ku ka edhe atelienë e tij. Ai për 50 vite u fokusua në pikturë, ndërsa ka qenë dhe profesor i artit në gjimnazin „Frang Bardhi“ në Mitrovicë. Pas pensionimit, jeta tij ka vazhduar me pikturën, ku shprehet se kohën më të madhe e kalon duke pikturuar.

Idrizi ka mbajtur rreth 6 ekspozita personale dhe shumë më shumë kolektive, si dhe është fitues i disa çmimeve.

Gazetari dhe moderatori i Alsat M, Emrah Bilalli ishte prezent në ekspozitë, ku edhe intervistoi disa pjesëmarrës, material i cili u transmetua në emisionin e pasdites Energji me moderatoren Argjira Elmazi./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button