Opozita në Shqipëri do të vazhdojë mosbindjen civile, Berisha: Duam qeveri teknike

Opozita në Shqipëri do të vazhdojë mosbindjen civile, Berisha: Duam qeveri teknike

Gazetare: Xhesika Sallahi

“Mosbindje civile! Opozita do të jetë çdo ditë në aksion. Nuk do të ketë paqe derisa të merret parasysh kërkesa për Qeveri teknike.” Këto ishin porositë e opozitës në Shqipëri, në përfundim të protestës së dhunshme mbrëmjen e kaluar në Tiranë. Dhjetë zyrtarë policorë u lënduan si pasojë e hedhjes së molotovit, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në protestën e përkrahësve të opozitës, teksa kundërshtohej burgosja e deputetit demokrat, Ervin Salianji. Protestuesit marshuan para institucioneve kryesore të vendit, Kryeministrisë, Kuvendit, Bashkisë, Ministrisë së Brendshme dhe selisë së Partisë Socialiste. Gjatë marshimit, ata shkatërruan prona private dhe publike, hodhën lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta. Policia përdori lëndë lotsjellëse për të sprapsur turmën. Një ditë pas protestës në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha ka falënderuar mbështetësit e PD-së.

“Mbrëmë dhanë leksionin më të mirë se çfarë është opozita. Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombit, e njeriut të civilizuar, që kudo në botë ngrihen kundër regjimeve.  Mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë. Për Edi Ramën kam një thirrje. Kërkojmë vetëm qeveri teknike”, deklaroi Sali Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë.

Pas protestës së opozitës, policia sekuestroi molotovë, flakadanë, e çanta me lëndë djegëse. Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarolli  nga Partia Demokratike, u akuzuan për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Policia ka njoftuar se nëntë persona janë në kërkim, teksa në pranga ka rënë një qytetar për veprën penale “shkatërrim të pronës me zjarr”. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button