Vallandovë, prodhimi i ullinjve jo i lehtë, mungon fuqia punëtore dhe ndihma nga shteti

Gazetar: Avni Tahiri

Vjelja e ullinjve sapo ka filluar edhe në vendin tonë. Edhe pse shumë pak bujq tek ne merren me kultivimin e ullinjve, përsëri ballafaqohen me sfida të shumta deri në shitjen e produktit final. Zllatko Ivanov nga Vallandova, mbledh rreth 20 tonë ullinj për një vit por sfida më e madhe vit pas viti është shitja e prodhimit dhe mungesa e fuqisë punëtore për vjeljen e ullinjve.

“Plasmani dhe punëtorët janë më problem, plasmani është më problem pasi ne këtë punë e bëjmë së bashku me pesë anëtarët e familjes, të afërm na ndihmojnë ndonjëherë kompensojmë edhe ne. Ullinjte nuk kërkojnë që t’i grumbullojmë në një kohë pasi pret dhe mund të mblidhet deri në dhjetorë. Pra, problemi më i madh është plasmani. Mënyra e shitjes së ullinjve është që kush dëshiron të blejë për vete, pra nuk ka ndonjë fabrikë që do të blinte ullinjtë, shesim në mënyrë kush dëshiron të blejë”, tha Zllatko Ivanov – Bujk.

“Në këtë pjese bëhet vjelja e ullinjve në mënyrë tradicionale dhe është punë e vështirë por ajo që nuk ka punëtorë edhe më shumë e vështirëson punën”, raporton Avni Tahiri, gazetar i Alsat M.

Irena është e regjistruar si bujk. Përveç punës në plantazhin e ullinjve, ajo merret edhe me shitjen e tyre dhe atë vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Ajo thotë se është punë shumë e vështirë e cila kërkon përkushtim gjatë gjithë vitit që të këtë prodhim të mirë.

“Bujqësia është degë që kërkon shumë punë, ne që punojmë ullinj nuk është aq e lehtë pasi duhet që të punosh gjithë vitin që të arrije deri tek shitja.Problemi më i madh është shitja, ne kemi mjaftë ullinj por nuk kemi plasman, shesim vetëm me pakicë, më mirë do të ishte që të ketë fabrikë që t’i blejë dhe ta di që atë që kam punuar gjatë vitit të kem ku ta shes. Punëtorë ka por fuqia punëtorë u shtrenjtua siç u shtrenjtua edhe standardi i jetës”, tha Irena Ivanova, bujk.

Ndihma nga shteti, sidomos për fermeret është shumë e rëndësishme sipas Irena Ivanovës, e cila shton se për shkak të mos pasjes së një pike të sigurt të grumbullimit të ullinjve, familja e saj pesë anëtareshe në Vallandovë nuk mund të zgjeroj këtë biznes familjar. Përveç se në Vallandovë, edhe në disa qytete të tjera të vendit, për shkak të kushteve të mira klimatike ullinjtë arrijnë cilësi të lartë, ndërsa çmimi i ullinjve të vendit është shumë më i lirë se sa ullinjtë e importuar./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button