Konviktet studentore “Kuzman Josifovski Pitu” dhe “Stiv Naumov” pritet të jenë gati vitin e ardhshëm
Konviktet studentore “Kuzman Josifovski Pitu” dhe “Stiv Naumov” pritet të jenë gati vitin e ardhshëm

Gazetare: Melihate Rustemi
Vitin e ardhshëm akademik një pjesë e studentëve pritet të vendosen në dy konviktet e rikonstruara në të cilat tashmë po zhvillohen punimet ndërtimore. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se për të rikonstruar konviktet “Kuzman Josifovski Pitu” dhe “Stiv Naumov” janë ndarë 17 milionë euro me të cilat mjete duhet të rikonstruohet pjesa e brendshme e hapësirave, fasada, vendosja e fotovoltaikëve dhe sistemit eko për ngrohje.
“Për 18 muaj duhet të jenë gati dy konviktet. Këtu kemi filluar pak më shpejtë, në “Stiv Naumov” pak më vonë. Vitin e ardhshëm akademik duhet të fillojnë me punë dy konviktet. Vazhdojmë të jemi në bisedime me Bankën gjermane për zhvillim por edhe bankat të tjera që të sigurojmë kreditë të volitshme që të mund t’i rikonstruojmë nëntë konviktet tjera”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Aleksandar Nikollovski, kryetar i Kuvendit Studentor pranë USHKM-së tha se përveç kushteve më të mira në konvikte, duhet të sigurohen edhe qera më të lira të banesave në qytetet universitare.
“Si trup nacional studentor për të ardhmen e kemi një propozim për një kufizim të mëtejshëm afatgjatë të çmimit të qirave të apartamenteve në qytetet universitare me qëllim ngritjen e standardit të studentëve në një nivel më të lartë në vendin tonë”, tha Aleksandar Nikollovski.
Për projektin në lidhje me rikonstruimin e konvikteve shtetërore studentore deri më tani janë siguruar mjete në vlerë prej 25 milionë euro, prej të cilëve 20 milionë përmesë linjëskreditore të Bankës Gjermane për Zhvillim dhe pothuajse 5 milionë euro grant të pakthyeshëm nga Programi për Efikasitet Rajonal të Energjisë për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian. /Alsat.mk