Ministria e Drejtësisë përgatit propozim ligj për Këshillin Gjyqësor

Ministria e Drejtësisë përgatit propozim ligj për Këshillin Gjyqësor

Gazetar: Mihajllo Donev

Që nga nesër fillojnë debatet publike të ekspertëve për propozim-ndryshimet e ligjit për Këshillin Gjyqësor të përgatitur nga grupi i punës i Ministrisë së Drejtësisë, njoftoi sot ministri i Drejtësisë Igor Filkov. Ai tha se në shumicën e debateve publike që do të zhvillohen, do të konsultohen ekspertë të fushës së gjyqësorit në mënyrë që ata të japin mendimin e tyre.

“Kjo do të jetë një nga disa ngjarje që do të pasojnë këtë periudhë, planifikohet që diku nga fundi i dhjetorit të përfundojë procesi, që do të thotë se do të kemi një debat në javë. Pritjet janë të larta, konkluzionet dhe rekomandimet e tryezës së rrumbullakët do të jenë baza për përmirësimin e mëtejshëm të tekstit të ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. E dini që diskutimet nuk do të jenë sipërfaqësore, ato do të jenë gjithëpërfshirëse dhe shumë të hollësishme. Shpresojmë që të gjithë të marrin pjesë”, tha Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Reformat në gjyqësor me theks në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, kanë qenë retorika e qeverisë që nga fillimi i mandatit, dhe në vend të shpërbërjes, siç njoftoi Kryeministri, do të pasojnë reformat, si dhe një ligj i ri për Këshillin Gjyqësor. Siç thuhet në agjendën e reformave të Qeverisë, e cila mori dritën jeshile nga Komisioni Evropian, një ligj krejtësisht i ri për Këshillin Gjyqësor duhet të jetë gati deri në qershor të vitit të ardhshëm, dhe ligji duhet të bazohet në mendimin e Komisionit të Venecias, si dhe në rekomandimet e Misionit Vlerësues të BE-së nga dhjetori i vitit të kaluar. Në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit, u theksua përsëri se nuk ka pasur përparim në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përmirësimin e kornizës ligjore, dhe rekomandimet shkuan në drejtimin që Këshilli Gjyqësor duhet të rrisë transparencën në procesin e vendimmarrjes, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të japë një shpjegim publik të vendimeve të tij. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button