FE dorëzon interpelancë ndaj Toshkovskit, zv.ministrit Iseni dhe dy zv.kryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoillkoviq

FE dorëzon interpelancë ndaj Toshkovskit, zv.ministrit Iseni dhe dy zv.kryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoillkoviq

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Fronti Europian dorëzon interpelancë ndaj ministrit të brendshëm Toshkovski, zv.ministrit Astrit Iseni dhe dy zv.kryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoillkoviq. Blerim Bexheti nga Fronti Europian tha se në seancën e radhës të Kuvendit do të kërkojnë përgjegjësi nga ministri dhe zv.ministri i brendshëm për incidentet me flamujt dhe djegien e veturave.

“Se grupi parlamentar I Frontit Europian gjatë ditës ka dorëzuar interpelancë për punën e katër anëtarëve të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik. Për zv.kryeministrin dhe ministrin e ekologjisë Izet Mexhiti. Ministrin e punëve të brendshme Pançe Toshkoski. Zëvendësin e tij Astrit Iseni si dhe zv.kryeministrin i cili në këtë qeveri është përgjegjës kryesor për marrdhënie mes bashkësive ose më qartë marrëdhënieve ndëretnike, Ivan Stoillkoviq”, tha Blerim Bexheti – Fronti Europian.

Nuk vonoi përgjigjja e koalicionit VLEN. Thonë se Fronti Europian duhet të ngritë interpelancë kundër vetes, sepse pikërisht BDI ishte ajo që tentoi të dëmtojë festën e organizuar më 28 nëntor.

“Interpelanca duhet të bëhet në BDI ndaj njerëzve të afërt të Artan Grubit që organizuan incidentet dhe prishën festën e bukur të flamurit shqiptar. Ju nuk mund ta quani veten Fronti Evropian, por përpiquni ta destabilizoni vendin dhe ta largoni atë nga perspektiva evropiane, vetëm sepse keni frikë nga pasojat e krimit tuaj. Kjo interpelancë është një manovër e pabazë politike”, thonë nga VLEN.

REAGIMI I VLEN-IT

  • BDI t’i bëjë interpelancë vetes
  • Njerëzit e Grubit organizuan incidentet
  • Interpelanca, manovër e pabazë politike

Nga VMRO-DPMNE, interpelancën e shohin si pasqyrim të frikës dhe panikut në LSDM dhe në BDI.

“Interpelanca për ministrin Pançe Toshkoski është pasqyrim i frikës dhe panikut në LSD dhe BDI, dhe akoma do të frikësohen. Kush ka gabuar para ligjeve duhet të frikësohet sepse asgjë më nuk është si deri tani. Përgjegjësi do të ketë për çdo kriminel, pa dallim sa LSD dhe BDI të shkaktojnë kriza artificiale për t’iu shmangur përgjegjësisë|”, u shpreh Velika Stojkova Serafimovska – VMRO-DPMNE.

Me rregulloren e re të Kuvendit, interpelanca duhet të mbahet në seancën e parë të radhës, që këtë herë është caktuar për më 10 dhjetor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button