Oman, Shqipëria në 1/16 e finales të Kampionatit të botës në minifutboll

Kombëtarja e Shqipërisë e minifutbollit është kualifikuar në raundin e 1/16-ave të Kampionatit Botëror “Socca World Cup 2024”. “Kuqezinjtë” arritën fitoren më të rëndësishme duke mundur kryesuesit e grupit Meksikën me rezultatin 3-1. Një ndeshje e dominuar nga skuadra e Irtan Sejkos që realizoi tre gola spektakolar. Për “kuqezinjtë” shënuan: Armand Gapi, Guido Tepshi dhe Endrit Kaca.
“Kuqezinjtë” arritën të zhbllokonin takimin vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë. Armand Gapi pasi rikuperoi nje top në mesfushë, nuk gaboi i vetëm përballë portierit.
Goli i dytë erdhi nga një kombinim i bukur mes Kacës dhe Tepshit. Ky i fundit me një goditje spektakolare dyfishoi rezultatin. Shqipëria shënoi edhe golin e tretë me Endrit Kacën. Kapiteni kuqezi përfitoi nga dalja e portierit kundërshtar dhe me një goditje të bukur vulosi kualifikimin në raundin e 1/16-ave. Në fund të takimit rrugën e rrjetës e gjeti edhe Meksika.
Në raundin e 1/16-ave, Shqipëria do të përballet me Belgjikën.