Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, asnjëri nuk është gjetur në shtëpi

Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, asnjëri nuk është gjetur në shtëpi

Gazetar: Suad Bajrami

Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili pak ditë më parë u fut në Listën e Zezë amerikane për korrupsion. Aksioni, ka të bëjë me furnizimin e VLT aparateve në Lotarinë Shtetërore në vlerë mbi 10 milionë eurosh. Megjithatë, Grubi, nuk është gjetur në shtëpi, ndërkaq sipas njoftimit të tij në Facebook ai ka udhëtuar jashtë shtetit për vizitë private dhe sapo të kryejë obligimet do të rikthehet në Shkup.

Bastisje është kryer edhe në shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami njeriut të afërt të Grubit. Por, edhe ai nuk është gjetur në shtëpi, ndërkaq janë gjetur shumë e konsiderueshme e parave. Jozyrtarisht, flitet se ndodhet në Kosovë.  Bastisje janë kryer në gjithsej nëntë adresa.

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur hetim për mashtrim në Lotarinë Shtetërore. Sipas Prokurorisë, është nisur procedurë kundër dy personave për ekzistimin e dyshimit për kryerjen e veprës penale “Mashtrim në Detyrë” të cilët si bashkëpunëtorë kanë kryer veprën penale sipas nenit 354 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Edhe për katër persona është ngritur procedurë për vepër penale “Keqpërdorim i Detyrës Zyrtare” sipas nenit 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 nga Kodi Penal.

“Nga provat e grumbulluara, rezulton dyshimi i bazuar se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në shoqërinë SHA “Lotaria Shtetërore” e RMV për organizimin e lojërave të fatit, gjatë vitit 2023, nëpërmjet ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tyre të veçanta, bashkë kanë marrë pjesë në aktet e kryerjes së dëmit ndaj shoqërisë aksionare me qëllim të përfitimit të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për tjetrin, i cili llogaritet në shumë të konsiderueshme prej mbi 8 milionë euro nga buxheti i shoqërisë aksionare”

I dyshuari i parë është drejtori Përparim Bajrami, ndërsa i dyti zëvendëskryeministri Grubi, i cili e ka udhëhequr seancën e qeverisë. Katër të dyshuarit e tjerë kanë qenë kryetar dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje publike të ndara, për të cilat ekziston dyshimi se kanë keqpërdorur kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike edhe pse kanë ditur se një procedurë e tillë në lëndët nuk guxojnë të kryhen, sepse nuk janë plotësuar kushtet ligjore.

Lotaria Shtetërore është llogaritur nga përfaqësuesit e partive qeveritare si një nga institucionet e dyshuara për keqpërdorime të shumta financiare, gjatë kohës derisa me të ka udhëhequr Bajrami, njeri i afërt Grubit, i cili u bë “non-grata” për SHBA-në për marrje të ryshfetit me qëllim që ta shpëtojë ish Shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov nga lëndët gjyqësore.

Hetohen, tenderët e dyshimtë në Lotarinë Shtetërore që i kanë fituar kompani të afërta me BDI-në.  Sipas raportimeve në media, Lotaria Shtetërore ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Hej” për marrjen me qira të ish restorantit Festina në Vizbeg , në të cilin janë ruajtur terminalet e lojërave të fatit të blera në vlerën e 19 milionë eurove. Marrëveshja e firmosur për 10 vjet, peshonte 2.6 milionë euro, respektivisht 21.000 euro në muaj. Kjo kompani është e njohur në opinion, pasi në krye të saj kanë qenë njerëz të afërt apo të lidhur me familjen e Grubit dhe ish deputetit Jahoski.

Megjithatë, Qeveria në shtator e prishi marrëveshjen, pasi siç tha edhe vetë kryeministri Hristijan Mickoski, Lotaria Shtetërore i paguante kompanisë qira që ishte trefish më e lartë nga ajo që e përcakton tregu. Ai theksoi se kontrata e prishur është bazë për përgjegjësi penale dhe se ekzistojnë dyshime serioze për kriminalitet nga pushteti i kaluar.

Gjithashtu, po hetohet edhe dokumentacioni që ka të bëjë me shpalljet e realizuara, tenderët, kontratat e lidhura dhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues për prokurimet publike. Nën hetim është edhe themelimi i tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit: “77 Bits”, “Vezuv” dhe “Mozzart”.

Në këto shoqëri, shoqëria aksionare shtetërore ka 51% të pronësisë, ndërsa shoqëritë private nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, bashkëpronarë, kanë 49%. Për këto tri subjekte të reja, shumica parlamentare VMRO-DPMNE-VLEN paraqiti në fillim të korrikut edhe një kërkesë për interpretim autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit, duke konsideruar se themelimi i tyre është i paligjshëm dhe se ato duhet të mbyllen.

Pasi Kuvendi dha interpretim autentik të nenit 7 të Ligjit për Lojërat e Fatit, më 27 shtator Qeveria i mbylli katër platformat e kazinove online për shkak të parregullsive në punë, lëshime dhe dyshime të bazuara për punë të paligjshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button