Taravari: Mbi 1 mijë të punësuarit me kontratë në vepër, gjatë janarit do të marrin vendimet e premtuara
Taravari: Mbi 1 mijë të punësuarit me kontratë në vepër, gjatë janarit do të marrin vendimet e premtuara

Gazetare: Linda Ebibi
Vendimet e mbi një mijë të punësuarve me kontratë në vepër që duheshin të realizohen deri në fund të këtij viti, do të shtyhen për në muajin e ardhshëm. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se procedurat tani më kanë kaluar filtrin qeveritar dhe deri në fund të janarit nisin punësimet.
“Të gjitha procedurat në Qeveri kanë kaluar, me leje të ministrisë së Financave, tani i takon drejtorëve. Kontratat u janë vazhduar edhe për tre muaj në mënyrë që askush të mos mbetet pa punë. Bëhet fjalë për një numër të madh prej rreth 1200 nga personeli i mesëm mjekësor dhe duhet të gjithë të kalojnë analizave në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk mund ti realizojmë të gjithë menjëherë, megjithatë deri në fund të janarit, shkurtit të gjithë do të jenë punësuar”, deklaroi Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
I pyetur për parkingun në Qendrën Klinike, Taravari tha se kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe se punimet do të nisin në janar.
“Sa për parkingjet ne veç e kemi mbaruar të gjitha procedurat e shpalljes publike për partneritet publiko-privat, unë besoj nga fundi i janarit të fillojnë punimet dhe deri nga fundi i majit ose fillimi i qershorit, komplet do të kemi dyfish më shumë vend parkime në qendrën klinike tash për tash kemi diku 700-800 parkime në këtë kaos, kemi minimum 1600 deri 1800 vend-parkime po nuk është e tëra, do të ketë edhe sinjalizim horizontal e vertikal. Qendra Klinike do të duket shumë më ndryshe me vend-parkingjet”, tha Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
Taravari foli edhe për murin mbajtës në Klinikën e Fëmijëve, i cili për më shumë se gjashtë muaj rrezikon të shembet plotësisht. Ai tha se projekti është përgatitur së bashku me komunën Qendër, ndërsa tha se mungon komunikimi me kryetaren e qytetit të Shkupit. Ai tha se ky problem do të zgjidhet gjatë vitit të ardhshëm. /Alsat.mk