Ku do ta presin Vitin e Ri qytetarët?
Ku do ta presin Vitin e Ri qytetarët?

Gazetare: Ajnur Bafqari
Qytetarët më shumë preferojnë që ndërrimin e moteve ta presin në shtëpi e sheshe, se sa nëpër restorante apo jashtë vendit, shkruan Alsat.
Menaxherët e lokaleve dhe restoranteve, thonë se krahasuar me vitet e kaluara, është shënuar ulje e prenotimeve për festën e Vitit të ri.
Disa hotele nuk organizojnë asnjë mbrëmje solemne, ndërsa disa lokale në kryeqytet madje nuk do të punojnë më datë 31.
“Kanë filluar, por jo edhe aq, nuk ka interesim sikurse vitet e kaluara, tash është më dobët, disa dëshirojnë të festojnë privat, nëpër shtëpitë e tyre, nuk është njësoj sikur ka qenë vitet e kaluara… Mendoj se është pjesa e financave, çmimeve, domethënë është pak më dobët, nuk është interesimi siç ka qenë, ndikon edhe ajo”, tha një menaxher lokali.
Agjencitë turistike kanë hasur një rritje të lehtë të interesimit për udhëtime jashtë vendit në fundvit, por thonë se krahasuar me një vit më parë, është shënuar ulje e interesimit deri në 40 për qind.
“Siç afrohen festat, më shumë ka interesim për festimin e vitit të ri, por nëse bëjmë krahasim me vitet e kaluara, është fakt se interesimi është shumë më i ulët. Njerëzit tradicionalisht, që i festojnë festat e vitit të ri, kanë filluar më shumë të festojnë nëpër shtëpitë e tyre apo nëpër sheshe…. Krahasuar me vitet e kaluara, konkretisht me vitin e kaluar, që poashtu nuk ishte aq e shkëlqyeshme, këtë vit ka ulje, të mos spekuloj shumë me numra, por në çfarëdo rasti ka ulje prej rreth 30 deri në 40 për qind”, u shpreh një pronarë Agjencie Turistike.
Ata që kanë vendosur të udhëtojnë jashtë vendit më shumë zgjedhin vendet e rajonit si Bullgaria, Serbia, Greqia, Bosnjë-Hercegovina. Ndërsa numri më i madh i atyre që dëshirojnë të udhëtojnë me avion, kanë zgjedhur Firencen e Italisë dhe Stambollin. / Alsat.mk