Kirurgut iu bart kanceri nga pacienti në një rast të paprecedent
Kirurgut iu bart kanceri nga pacienti në një rast të paprecedent

Një doktor që kryente një operacion për një pacient me kancer pati “transplantuar” aksidentalisht sëmundjen në trupin e tij, në një rast të jashtëzakonshëm të cilin mendohet se është i pari i këtij lloji.
Daily Mail ka shkruar se një 32-vjeçar nga Gjermania ishte diagnostikuar me një lloj të rrallë kanceri dhe po i hiqej tumori nga barku. Gjatë operacionit, kirurgu, 53 vjeç, aksidentalisht e preu dorën e tij, por plagën e dezinfektoi dhe e fashoi menjëherë.
Pesë muaj më vonë, kirurgu vuri re një masë të vogël që po zhvillohej aty ku kishte pasur dëmtimin më parë dhe kërkoi ndihmë mjekësore. Masa rezultoi të jetë një tumor malinj dhe testet treguan se ishte gjenetikisht identik me kancerin që kishte pasur pacienti i tij.
Kjo bëri që ekipi mjekësor të vijë në përfundim se kirurgu kishte marr sëmundjen e kancerit kur qelizat e tumorit kishin hyrë në pjesën e prerë të dorës së tij.
Raporti i rastit u quajt i pazakontë sepse, në transplantet e zakonshme, trupi zhvillon një përgjigje nga sistemi imunitar që e refuzon indin e huaj, dhe mjekët kishin pritur të njëjtën gjë të ndodhte në rastin e kirurgut.
Megjithatë, zhvillimi dhe rritja e tumorit sugjeron se trupi i kirurgut kishte një “përgjigje imune të papërshtatshme ndaj tumorit”.
Ky rast, i raportuar për herë të parë në vitin 1996, është bërë objekt diskutimi përsëri.
Ai është publikuar në The New England Journal of Medicine, ku mjekët përshkruajnë si “transplantimin aksidental” të një tumori malinj fibroz histiocitoma – një lloj kanceri që formohet në indet e buta, me vetëm 1,400 raste të diagnostikuara çdo vit.
Kirurgu kishte dëmtuar pjesën e pëllëmbës së dorës së tij të majtë ndërsa po vendoste një drenazh në një pacient gjatë operacionit për heqjen e kancerit nga barku.
Plaga u dezinfektoa dhe u fashua menjëherë. Pas operacionit të suksesshëm të pacientit, ai vdiq për shkak të komplikimeve.
Pesë muaj më vonë, një masë 1.2 inç (rreth 3 cm) u shfaq në gishtin e mesëm të dorës së kirurgut dhe ai vizitoi një specialist të duarve. Një ekzaminim i detajuar, përfshirë teste të shumta laboratorike dhe të gjakut, nuk tregoi ndonjë gjetje të pazakontë. Tumori u hoq, dhe pas ekzaminimit të masës nën mikroskop, rezultoi se ishte gjithashtu një tumori malinj fibroz histiocitoma.
Mjeku që kishte trajtuar si pacientin edhe kirurgun ngre pyetjen nëse tumoret ishin të lidhura. Mostrat e të dy tumoreve u analizuan dhe u përcaktuan se ishin “identike”.
Ata kishin të njëjtat lloje qelizash dhe organizimin e këtyre qelizave, duke sugjeruar se kirurgu mund ta ketë “transplantuar” pa dashje kancerin nga pacienti në pjesën e prerë të dorës së tij.
Autorët e raportit shpjeguan se zakonisht, transplantimi i indeve nga një person në tjetrin shkakton një përgjigje imune që çon në refuzimin e indit të transplantuar. Megjithatë, në rastin e kirurgut, u zhvillua një reaksion inflamator intensiv në indet përreth tumorit, por masa e tumorit rritej, duke sugjeruar një përgjigje imune të pamjaftueshme ndaj tumorit.
Ata spekuluan se tumori kishte “shpëtuar” nga shkatërrimi imunitar përmes disa mekanizmave, duke përfshirë ndryshime në molekulat e qelizave të tij dhe një dështim të trupit të kirurgut për të njohur dhe sulmuar në mënyrë efektive qelizat e tumorit.
Dy vjet pas heqjes së tumorit, nuk ka pasur asnjë shenjë që kanceri të ishte shpërndarë ose të ishte rikthyer. Raste të tilla janë jashtëzakonisht të rralla dhe nuk ekzistojnë statistika për “transplantimin” e kancerit.
Një studim për shqyrtimin e rasteve të ngjashme që u bë në vitin 2013, i publikuar në Cold Spring Harbor Perspectives in Medicine, tregon se incidenca e çdo transmetimi të kancerit është kaq e ulët sa që ka vetëm raporte sporadike të cilat janë burimi kryesor i informacionit për këtë çështje.