Lajçak: Jam krenar për bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-së
Lajçak: Jam krenar për bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-së

Miroslav Lajçak, i cili largohet nga posti i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është krenar për bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-së gjatë mandatit të tij.
Ai ka shkruar mbrëmë në rrjetin social X për takimin me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanoff dhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit James O’Brien.
“Misioni im i parë në vitin 2025 më çoi në Shtetet e Bashkuara. Në Uashington, pata një diskutim të gjerë për Ballkanin Perëndimor me Kasanoff. Jam krenar për bashkëpunimin e shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-së gjatë mandatit tim”, ka shkruar ai.
Mandati i Lajçakut si përfaqësues i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë skadon në fund të janarit dhe BE-ja ka konfirmuar se procesi i zgjedhjes së pasuesit të tij është duke vazhduar.
E premtja, 3 janar, është afati i fundit për dorëzimin e nominimeve, pas së cilës Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kaja Callas do të zgjedhë se kë do të emërojë si Përfaqësuese Speciale e BE-së për Dialogun.
Ndër emrat më të përmendur janë ish-ministri i Finlandës, Peko Havisto dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sørensen.