Katër aktakuza për vrasjen e Liridona Ademajt, Gashi: Presim dënim kapital
Katër aktakuza për vrasjen e Liridona Ademajt, Gashi: Presim dënim kapital

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023. Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por, dy ditë më vonë, Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është në mesin e të akuzuarve për vrasjen e saj. Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk u theksua gjatë konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Prokuroria tha rasti ka qenë jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe se janë zhvilluar hetime në shumë dimensione.
“Kjo është vepër penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake, andaj duke qenë e tillë, presim nga Gjykata një dënim kapital”, deklaroi Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë së Prishtinës.
“E mirëpresim ngritjen e aktakuzës, ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çfarë duam ne është që Gjykata sa më shpejt një dënim kapital që të lehtësojë zemrat tona sa do pak dhe të fëmijëve të saj. Aktakuzën ende nuk e kemi pranuar”, tha Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademaj. /Alsat.mk