Leao i dhuron Milanit tri pike, 3 skuadra italiane në mesin e “Top 8” të Evropës

Rafa Leao i dhuroi Milanit një tre pikësh të artë përballë Xhironës, një sukses jetik që i siguron minimalisht prezencën në “play-off”, ndërsa “top8” do të vendoset në Zagreb, në sfidën e fundit kundër Dinamos.
Ekipi i Konseisaos zbriti me marshin e pestë në San Siro duke zhvilluar një presion asfiksues në zonën e ekipit spanjoll, por ishin të pafat ku brenda pak minutash tronditën dy herë portën e Xhirona-s, me Teo Hernandez që përplasi topin në traversë, ndërsa 5 minuta më pas goditja e Musah gjeti shtyllën pingule.
Për të sjell festë në stadium mendoi Rafa Leao, me portugezin që vallëzoi brenda në zonë duke realizuar një gol shumë të bukur. Në pjesën e dytë, Xhirona besoi më shumë, arritën të barazonin shifrat me një super gol të Bryajan Hill, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë lojë.
Rezultati 1-0 nuk ndryshoi deri në fund, me Milan që feston për këtë 3 pikësh. I kënaqur, por jo plotësisht, u shfaq trajneri Konseisao.
“Djemtë bënë një punë të mirë, por asgjë nuk ka përfunduar, është dhe një ndeshje në lojë. Kishte disa gjëra që shkuan mirë, disa të tjera jo, duhet të vazhdojmë të punojmë. Leao? Bëri një gol të bukur, por i kam kërkuar edhe disa gjëra të tjera në lojën pa top”, u shpreh Konseisao.
Suksesi i tre ekipeve Italiane, Inter, Milan dhe Atalanta, ka sjell festë në të përditshmet italiane.
“Ka vend për tre. Interi e Milani mes tetë ekipeve të para, ashtu si Gasperini”, shkruan “Corriere dello Sport” në faqen e parë.
“Evropë, ja ku jemi. Fitojnë Inter e Milani, 1/8 një hap larg”, ishte titulli kryesor i ”La Gazzetta”-s.