“Aksidenti”, nën hetim edhe prindërit e shoferit Vasili Jovanov

“Aksidenti”, nën hetim edhe prindërit e shoferit Vasili Jovanov

Gazetar: Suad Bajrami

Prokuroria e ka zgjeruar hetimin edhe për prindërit e Vasill Jovanovin, shoferit 20-vjeçar i cili në gjendje të dehur, pa patentë shoferi, në semafor të kuq e me shpejtësi më të madhe se sa e lejuara e aksidentoi për vdekje 22-vjeçaren Frosina Kullakova. Prokuroria, po mbledh të dhëna për rolin e prindërve sa i përket blerjes dhe mirëmbajtjes së veturës, por edhe ofrimit në dispozicion të automjetit pavarësisht se e kanë ditur që Jovanovi nuk ka patentë shoferi.

“Po, që në fillim Prokuroria ka menduar edhe në atë drejtim pasi që pronësia e automjetit është në emër të babait, në atë drejtim janë dhënë urdhra përkatës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, konkretisht deri te Sektori për Punë të Brendshme Shkup ta shqyrtojnë tërë gjenezën e atij automjeti dhe dhënien e atij automjeti të akuzuarit. Domethënë në lidhje me atë, i japim trajtim të mjetit përgjithësisht të rrezikshëm dhe marrjen e veprimit përgjithësisht të rrezikshëm për arsye se vlerësojmë se i akuzuari është person që nuk ka patentë shoferi, ka drejtuar veturë të tillë dhe këtu kërkojmë nëse mundemi të konstatojmë përgjegjësi të paramenduar nga ana e prindërve”, tha Gavrill Bubevski, shef i PTHP Shkup.

Todor Kullakov, babai i të ndjerës Frosina, mbrëmë kërkoi që shoferi të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërkaq prindërit të japin llogari për pjesëmarrje në vrasje.

“Pasi i ke blerë telefon që të merresh vesh në lidhje me vrasjen, ti je pjesë e atij procesi, t’i fsheh vrasje, ti je pjesëmarrës në këtë vrasje. Prindërit dua të japin llogari si pjesëmarrës të qartë dhe të pastër në këtë vrasje, pasi e fshehin”, deklaroi Todor Kullakov, babai i Frosinës.

Vdekja e Frosinës ka shkaktuar revoltë të madhe në opinion, për çka mijëra qytetarë dolën në protestë dhe kërkuan ndëshkimin e shoferit, i cili paraprakisht është kapur duke tregtuar me drogë, por në vend të burgut ka përfunduar me vendim për dërgimin e tij në shtëpinë edukuese korrektuese në Tetovë. Për rastin në fjalë, u mbajt protestë në Shkup, ndërkaq për sot është paralajmëruar marsh protestues në Negotinë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button