Vjedhja e shekullit – Vjedhen 100 mijë vezë organike me vlerë 40 mijë dollarë

Vjedhja e shekullit - Vjedhen 100 mijë vezë organike me vlerë 40 mijë dollarë

Policia në Pensilvani po përpiqet të zgjidhë një rast pasi 100,000 vezë organike me vlerë 40,000 dollarë u zhdukën nga një rimorkio fundjavën e kaluar.

Vjedhja ndodhi të shtunën, rreth orës 20:40, në Greencastle, një qytet që ndodhet rreth 100 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Harrisburg. Vezët u vodhën nga një rimorkio shpërndarëse e parkuar përpara Pete & Jerry’s Organics.

Policia e Shtetit të Pensilvanisë mbërriti në vendin e vjedhjes dhe konfirmoi se vezët vërtet mungonin, por aktualisht nuk ka asnjë informacion sesi një vjedhje kaq e madhe mund të kishte kaluar pa u vënë re, as nëse ka ndonjë të dyshuar.

“Pete & Jerry’s Organics” ekziston që në vitet 1980 dhe që nga viti 1997 ka kaluar plotësisht në prodhimin organik. Sipas faqes së tyre të internetit, ata bashkëpunojnë me më shumë se 200 ferma të pavarura familjare në të gjithë New England, Rajonin Mid-Atlantik dhe Midwest.

“Vendosja e standardeve më të larta për bujqësinë dhe kujdesin e kafshëve nuk është detyrë e lehtë – por ne nuk flasim vetëm, por veprojmë”, thotë kompania.

Si u zhdukën vezët?

Për momentin, mbetet mister se si janë vjedhur 100 mijë vezë pa e vënë re askush. Ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve me çdo informacion që të kontaktojnë policinë e shtetit në Chambersburg.

A është kjo punë e një grupi hajdutësh të organizuar mirë? Apo ndoshta kjo “vjedhje omlete” ka një kthesë të papritur? Mbetet të shihet se si do të përfundojë ky rast i pazakontë.

LEXO EDHE:

Back to top button