Kosova voton
Kosova voton

Qytetarët e Republikës së Kosovës sot ushtrojnë të drejtën e votës – në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj, raporton KosovaPress.
Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924.
Për herë të parë, diaspora votoi nëpër përfaqësi diplomatike. Votimi përmes postës ka nisur nga 9 janari.
Për dallim nga zgjedhjet ë mëparshme, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit – 7:00 të mëngjesit deri 19:00 në mbrëmje.
Janë 941 qendra të votimit, prej të cilave 903 për votim të rregullt – me 2 mijë e 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit me kusht (nga një për çdo komunë) me 56 vendvotime.
Sipas Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, në ditën e zgjedhjeve në vendvotime do të numërohet pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike, ndërkaq një ditë pas, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit – votat për kandidatë për deputetë.
KosovaPress do t’i mbulojë drejtpërdrejt zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Ekipi ynë në teren do të sjell në kohë reale të gjitha zhvillimet që lidhen me procesin zgjedhor, deri në orë të vona të natës.