Përfaqësimi/ Mexhiti: Ligji i ri, së shpejti
Përfaqësimi/ Mexhiti: Ligji i ri, së shpejti

Gazetare: Fatlume Dervishi
Zv.kryeministri Izet Mexhiti paralajmëron se do të publikohet draft ligji për përfaqësim të drejtë, e shumta javën e ardhshme. Brenda javës pritet edhe takimi i fundit mes grupeve të punës.
“I kemi përafruar qëndrimet. Besoj që nëse ky do të jetë takimi i fundit, ka fundi i javës ose javën tjetër të dalim me zgjidhjen ligjore apo me ligjin e posaçëm për përfaqësimin adekuat që do të jetë një avancim i të drejtave të shqiptarëve sepse deri dje ka qenë me mekanizëm. Tani do të ngritet në nivel të zgjidhjes ligjore,” tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër.
Mexhiti në intervistë për Alsat tha se zgjidhja ligjore do të jetë në përputhje me kushtetutën dhe nuk e shohin problem marrjen e mendimit të Komisionit të Venecias.
Izet Mexhiti, zv.kryeministër.
“Mendoj që ne po bëjmë zgjidhje e cila do ta zgjidhë problemin e përfaqësimit, nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk e shohim problem marrjen e mendimit të komisionit të Venecias. Sepse ata mund ta shohin vetëm a është ligji në përputhje me Kushtetutën. Mirëpo do të jetë i harmonizuar dhe do t’i dalim zot si qeveri, jo si VLEN,” deklaroi tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër.
Ligji për përfaqësim të drejtë premtohet si zëvendësim i mekanizmit të balancuesit për të siguruar përfaqësim etnik në punësimet në institucionet publike. Pushteti flet për të që kur Gjykata Kushtetuese shfuqizoi balancuesin të cilin e cilësoi diskriminues. Për momentin, përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese mirëpo nuk ka mekanizëm që garanton zbatimin e tij. /alsat.mk