Majmuni i pakujdesshëm lë 22 milionë njerëz pa energji elektrike në Sri Lanka
Majmuni i pakujdesshëm lë 22 milionë njerëz pa energji elektrike në Sri Lanka

E gjithë Sri Lanka mbeti pa energji të dielën dhe fajin e kishte një majmun.
“Majmuni ra në kontakt me një transformator në rrjetin tonë, i cili shkaktoi një çekuilibër në sistem,” tha ministrja e Energjisë e Sri Lankës Kumara Jayakodi, duke shpjeguar shkakun e ndërprerjes totale të papritur të energjisë. Incidenti ndodhi rreth orës 11:00 të së dielës në një nënstacion në jug të kryeqytetit Colombo.
Pas ndërprerjes, energjia u rikthye gradualisht në të gjithë vendin, me përparësi spitalet dhe objektet e pastrimit të ujit.
Ndërsa shumë u mbështetën te gjeneratorët, shumë komente u shfaqën në mediat sociale.
“Një majmun i keq ka rrëzuar të gjithë rrjetin elektrik të Sri Lankës për shkak të një defekti që shkaktoi në një nënstacion në Colombo,” shkroi një përdorues në Twitter.
Të tjerë kritikuan infrastrukturën e vendit, duke vënë në dukje se është koha për modernizimin e saj.
“Vetëm në Sri Lanka një luftë midis majmunëve në një termocentral mund të shkaktojë ndërprerje të energjisë në të gjithë ishullin,” shkroi gazetarja Jamila Hussain, kryeredaktore e gazetës lokale, Daily Mirror.
Mediat lokale raportojnë se ekspertët kanë paralajmëruar për dobësitë në rrjetin elektrik të Sri Lankës prej vitesh.
“Rrjeti kombëtar i energjisë elektrike është në gjendje aq të keqe sa çdo ndërprerje e vogël mund të shkaktojë ndërprerje të energjisë në të gjithë ishullin,” tha një inxhinier i paidentifikuar.
Sri Lanka në vitin 2022 po përballej me ndërprerje të rregullta të energjisë, por jo për shkak të majmunëve, por për shkak të krizës ekonomike.