Ndryshimet në Ligjin për mbikëqyrje inspektuese kanë invaliduar Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve, tash është në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë

Ndryshimet në Ligjin për mbikëqyrje inspektuese kanë invaliduar Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve, tash është në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë

Gazetar: Suad Bajrami

Ashtu si të gjitha inspektoratet në vend, me ndryshimet e fundit të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve detyrohet ta humb statusin juridik edhe pse, këtë ia garantojnë Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligji për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, shkruan Alsat.

Konkretisht, Neni 20, paragrafi 1 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë se Inspektorati që mbikëqyr zbatimin e plotë dhe konsekuent të dispozitave të këtij ligji është në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë, por me cilësi të personit juridik.

E njëjta, përsëritet edhe në Ligjin e veçantë për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve, ku theksohet se Inspektorati ka cilësinë e personit juridik.

Të pyetur nga Ministria e Drejtësisë se si do ta marrin nën kompetenca Inspektoratin, kur statusi i tij rregullohet me dy ligje të veçanta, nga ky dikaster thonë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligji për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve do të harmonizohen me Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese.

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të duhet të harmonizohet me ndryshimet e reja të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese, ndërkaq të drejtat dhe obligimet, ministritë janë të obliguara t’i ndërmarrin më së voni tre muaj nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve do të ketë status të barabartë me të gjitha inspektoratet në shtet, të cilët tani funksionojnë si organe në përbërje të ministrive”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas nenit 8 të Ligjit për ndryshim të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese, të punësuarit, inventari, por edhe të gjithë sendet e tundshme dhe të patundshme, shlyerja e detyrimeve, mjeteve për punë, por edhe të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga marrëveshjet e shërbimeve inspektuese merren nën kompetencë të Ministrisë.

Në këtë rast, Inspektorati do të vazhdojë të punojë si organ në përbërje të ministrisë, por pa cilësinë e personit juridik. Kjo, nënkupton se Inspektorati nuk do të ketë llogari buxhetore të saj, ndërsa nuk do të mundet në mënyrë të pavarur të zbatojë procedura për furnizime publike dhe punësime, e as të vendos për të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës.

Nga Ministria e Drejtësisë, nuk sqarojnë nëse e kanë në plan që të dorëzojnë në Kuvend ndryshime të Ligjit të Inspektoratit të Gjuhëve, duk e pasur parasysh se ndryshime të tilla u dorëzuan në prill të vitit 2021, por dështuan të miratohen.

Me të njëjtat, kërkohej që Inspektorati i Gjuhëve të jetë i barabartë në aspektin e kompetencave me të gjitha inspektoratet tjera, pasi që aktualisht është i kufizuar në aspektin e shqiptimit të gjobave. Praktikisht, Inspektorati vetëm shqipton masa, por gjobat duhet t’i shqiptojë Gjykata.

Sipas informatave të Alsat, mbi 30 lëndë kundër shkelësve të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, janë bllokuar në Gjykatën Penale të Shkupit në Njësiti për Kundërvajtje. Deri më tani, askush në shtet nuk është ndëshkuar për mosrespektim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pavarësisht se ligji ka hyrë në fuqi para gjashtë vitesh./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button