Pasuria e konfiskuar e Mijallkovit dhe Gruevskit del në ankand
Pasuria e konfiskuar e Mijallkovit dhe Gruevskit del në ankand

Prona e konfiskuar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-shefit të DSK-së Sasho Mijallkov, së shpejti do të dalë në shitje nga Agjencia për menaxhimin e Pronës së sekuestruar dhe prej saj pritet të arkëtohen së paku 29 milionë euro. Do të shiten banesa, apartamente, garazhe, objekte afariste dhe tokë ndërtimore. Këto prona të Gruevskit dhe Mijallkovit janë konfiskuar në disa raste gjyqësore ndaj tyre. Do të shiten banesa në rrugën “Bihaqka”, banesa në “Panorama Residence”, banesa në Ohër, parcela në Vodno dhe në Qendër. Nga shitja e pasurisë së Mijallkovit, deri më tani shteti ka mbledhur 332.276 euro. Ish kreu i shërbimit sekret u deklarua fajtor në korrik të 2022 dhe u dakordua për rastin “Perandoria” ku iu konfiskua pasuria me vlerë rreth 30 milionë euro. Gruevski, në vitin 2018, pas shpalljes së dënimit me burg në rastin “Tanku”, për blerjen e kontestuar të veturës zyrtare “Mercedes”, u arratis në Hungari, ku mori dhe azil. Autoritetet e vendit kanë lëshuar urdhër- arresti ndërkombëtar për të. /Alsat.mk