“Do të firmosja për një finale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit”

Në një intervistë për “Sport”, mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Arauho, foli për mundësinë që “El Clásico” të zhvillohet në “Allianz Arena” të Munihut më 31 maj.
“Sigurisht që do të firmosja për një finale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit. Do të ishte një ndeshje e madhe, por ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Liga e Kampionëve, është shumë konkurrues dhe në këtë fazë nuk ka kundërshtarë të lehtë. Na presin dy ndeshje ndaj Benfika-s në 1/8 finale dhe gjithçka do të varet nga mënyra se si do t’i përballojmë. Besojmë se mund t’ia dalim dhe të arrijmë deri në finale. Do të ishte një arritje e mrekullueshme.
Tani duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, ashtu siç na thotë trajneri. Kjo skuadër mund të mposhtë këdo, edhe pse në futboll e dimë që gjithçka mund të ndodhë,” tha fillimisht Arauho.
Stili i lojës me Hansi Flik
“Nuk kam luajtur kurrë në këtë mënyrë dhe besoj se pothuajse askush këtu nuk e kishte bërë. E vetmja skuadër në Europë që luan diçka të ngjashme me ne është Liverpulli, por ata rrezikojnë pak më pak. Kjo filozofi loje na ka dhënë rezultate, stërvitemi çdo ditë në maksimum për të ndjekur udhëzimet e trajnerit. Na është dashur pak kohë, faza përgatitore na ndihmoi shumë për ta mësuar si stil loje. Në ndeshjet e para nuk po bënim atë që po bëjmë tani, por me kalimin e kohës kemi arritur të përmirësohemi dhe të marrim rezultate pozitive,” tha në fund mbrojtësi nga Uruguaj.