Kaos në kuvendin e Serbisë / Bomba me tym, mjete piroteknike dhe përleshje fizike
Kaos në kuvendin e Serbisë / Bomba me tym, mjete piroteknike dhe përleshje fizike

Gazetar: Suad Bajrami
Kaos në Kuvendin e Serbisë. Deputetët opozitarë në seancën e sotme hodhën gaz lotsjellës dhe mjete piroteknike, duke kundërshtuar debatin në Kuvend, ndërkohë që po vazhdojnë protestat masive lidhur me shembjen e çatisë në stacionin e trenit ne Novi Sad ku si pasojë humbën jetën 15 persona.
E gjitha nisi, pasi shumica parlamentare miratoi rendin e ditës me 62 pika. Disa deputetë të opozitës, u vërsulen drejt kryetares së Kuvendit Ana Bërnabiq, por që u ndaluan nga sigurimi i Kuvendit. Derisa ata insistonin, deputetë të tjerë të opozitës hodhën bombat tymuese, ndërkaq situata u përshkallëzua pasi nisën të hidheshin gjësende në drejtim të njëri-tjetrit.
Në një moment, pati dhe përleshje fizike.
Deputetët, gjithashtu mbanin pankarta me mbishkrimet “Grevë e përgjithshme”, “Studentët kanë të drejtë”, por edhe thirrje të tjera antiqeveritare.
Bërnabiq, njoftoi se si pasojë e incidentit janë lënduar tre deputetë, në mesin e të cilave edhe deputetja Jasmina Obradoviç e cila ka pësuar goditje në tru dhe është në gjendje kritike.
Presidenti Vuçiq, publikoi fotografi nga vizita e deputetes Obradoviç, në të cilën shkruajti se Jasmina do të fitojë, Serbia do të fitojë”.
Shumica parlamentare vazhdoi debatin për pikat e rendit të ditës, në atmosferë të zhurmës dhe fishkëllimave.
Pas incidentit, përpara Kuvendit u mblodhën qytetarët për të protestuar. /Alsat.mk