Presidentja e Kosovës: Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH

Presidentja e Kosovës: Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Prishtina ofron mbështetje të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe përshëndeti një mesazh të ngjashëm nga Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio, transmeton Anadolu Agency.

“Ne i bashkohemi deklaratës së sekretarit Rubio dhe solidarizohemi të plotë me popullin e Bosnjë-Hercegovinës, duke rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X.

Ajo shtoi se minimi i themeleve të BeH kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim që cenon themelet e Bosnjë-Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin për të cilin rajoni ka luftuar me dekada, me mbështetjen e vazhdueshme amerikane”, theksoi Osmani.

Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara janë faktor kyç për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajon dhe përparimin drejt integrimeve euroatlantike.

“Ne jemi të përkushtuar që të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim”, ka përfunduar Osmani, duke ndarë njoftimin e diplomatit amerikan.

Rubio: Dodik po minon institucionet dhe po rrezikon sigurinë e BeH

Në kuadër të vendimeve të fundit të autoriteteve të Republikës Srpska, Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se veprimet e presidentit të RS Milorad Dodik minojnë institucionet e Bosnjë-Hercegovinës dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

“Ne inkurajojmë udhëheqësit politikë në BeH që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese,” postoi Rubio në rrjetin social X.

Dodik nënshkruan ligjet që sfidojnë institucionet e BeH

Në mesin e javës, Dodik nënshkroi dekrete për zbatimin e ligjeve të miratuara nga Asambleja Kombëtare e RS, të cilat ndalojnë funksionimin e Gjykatës dhe Prokurorisë së BeH, Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të BeH (HJPC) në territorin e atij entiteti.

Këto lëvizje erdhën pasi Gjykata e BeH e dënoi Dodikin me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga mbajtja e detyrës së Presidentit të RS për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH.

Gjykata Kushtetuese e BeH i pezulloi përkohësisht këto ligje deri në marrjen e një vendimi përfundimtar mbi ankesën.

 

LEXO EDHE:

Back to top button