Mickoski thotë se me skandalin e mazutit të dëmshëm është rrezikuar jeta e qytetarëve

Mickoski thotë se me skandalin e mazutit të dëmshëm është rrezikuar jeta e qytetarëve

Gazetare: Ajnur Bafqari

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti thotë se hetimi për skandalin me mazutin toksik do të shkojë deri në fund, jo vetëm pse është dëmtuar buxheti i shtetit por para se gjithash është dëmtuar shëndeti i qytetarëve. Sipas tij do të hetohen të gjitha rastet ku ka pasur furnizime të tilla dhe do të ketë përgjegjësi ligjore.

“Edhe njëherë dëshmohet se nuk kompromis me korrupsionin sidomos në këtë rast ku nuk është dëmtuar vetëm buxheti por është dëmtuar edhe shëndeti i qytetarëve. Kjo do të thotë se është dyfish i rëndësishëm. Është një luftë kundër korrupsionit pa etiketime etnike, ideologjike etj. Askush nuk është mbi ligjit. Do të shkohet deri në fund për këtë çështje. Është dëmtuar buxheti i shtetit por edhe shëndeti i qytetarëve”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër.

Ndërkohë përgjegjësi paralajmëron edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se nuk do të komentojë vendimin e gjykatës, por nënvizoi se këta persona janë pasuruar në kurriz të qytetarëve dhe kanë rrezikuar jetën e tyre duke e shkelur të drejtën për jetë, e cila është e garantuar me Kushtetutë.

“Të presim të përfundojë hetimi dhe pasi të përfundojë mund të komentojmë se cilat janë dyshimet e bazuara për te cilat këto persona do të akuzohen. Deri atëherë do të mbetemi në atë që MPB dhe Byroja për Siguri Publike e transmetuan në opinion. Besimi në gjykatë është i tillë si është, unë këtu nuk kam çfarë të shtoj, secili që ka gabuar para ligjit do të përgjigjet, pavarësisht se për kënd bëhet fjalë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë BDI dhe LSDM vazhdojnë të heshtin për skandalin, në të cilin janë të përfshirë edhe ish zyrtarë të tyre. Ish pushtetarët nuk thanë asnjë fjalë as për furnizimin e mazutit për TEC Negotinë, me të cilin është dëmtuar buxheti i shtetit për 167 milion euro dhe as për vendimin e gjykatës që caktoi masa të ndryshme për më shumë persona të përfshirë në këtë rast. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button