Mickoski u ngarkon edhe një tjetër faj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, atë të zgjedhjes së përkohshme të Xhemali Saitit në krye të Gjykatës Supreme
Mickoski u ngarkon edhe një tjetër faj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, atë të zgjedhjes së përkohshme të Xhemali Saitit në krye të Gjykatës Supreme

Gazetar: Suad Bajrami
Zgjedhja e Xhemali Saitit për ushtrues detyrë të Gjykatës Supreme nuk është mirëpritur nga kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, ky është edhe një fakt shtesë pse duhet të shkarkohen anëtarët e Këshillit Gjyqësor, të cilëve Kuvendi u votoi mosbesimin, shkruan Alsat.
Ndërsa, votimi i interpelancës sipas kreut të ekzekutivit, nuk është bërë me qëllim që anëtarët aktualë të zëvendësohen me të dëgjueshëm partiakë.
“Ne nuk i hymë kësaj , sepse kemi përgatitur defterë paraprakisht, në mënyre që të gjenden emra si ato që ishin në Reçicë, Bihaçka… ne i hymë për arsye parimore pasi ju qytetarët u dhatë besim më pak se 2%… Madje, edhe ndodhitë e fundit për zgjedhjen ushtrues detyre të Gjykatës Supreme, emri i cili u zgjodh është motiv shtesë që këta anëtarë të Këshillit Gjyqësor të shkarkohen”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Por, duke kopjuar këtë model të shumicës parlamentare për interpelancë ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, deputetët e Frontit Evropian paralajmëruan të shfrytëzojnë instrumentin e interpelancës, edhe për gjyqtarët kushtetues, nën arsyetimin se kanë për qëllim të shfuqizojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Për këtë, sot reagoi edhe Gjykata Kushtetuese duke nënvizuar se në asnjë rrethanë nuk mund të ketë interpelancë për gjyqtarët kushtetues, pasi Kushtetuta nuk i lejon Kuvendit të ndërhyjë në kompetencat e gjyqtarëve kushtetues, mënyrën e zgjedhjes së tyre apo ndërprerjen e funksionit.
“Institucioni “interpelancë” i parashikuar në nenit 72 të Kushtetutës, në asnjë rast nuk ka të bëjë dhe nuk mund të zbatohet për gjykatësit kushtetues. Në të kundërtën, humb kuptimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bëhet shkelje e rëndë e Kushtetutës për arsye se në atë mënyrë bëhet ndërhyrje në pushtetin e të ashtuquajturin pushtetin e katërt gjyqësor-kushtetues, në autonominë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht votimit të interpelancës ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët janë zgjedhur në procedurë kuvendore, anëtarët nuk mund të shkarkohen, por mund të japin vetëm dorëheqje, me pëlqimin e tyre.
Anëtarët janë deklaruar se pavarësisht votimit të interpelancës, nuk do ta ofrojnë dorëheqjen. Kjo, nënkupton se do të duhet të pritet derisa t’u mbarojë mandati. Më së shpejti, mandati do t’i mbarojë anëtarit Milazim Mustafa, më saktë, më 9 korrik të këtij viti, ndërsa më 12 dhjetor u mbaron mandati Selim Ademit dhe Vesna Damevës. Pavlina Cërvenkovsa ka mandat deri në dhjetor të vitit 2026, ndërsa Tanja Çaçarova-Ilievska, deri në dhjetor të vitit 2027./ Alsat.mk