Nis protesta më e madhe e mbajtur deri më tani në Beograd kundër Vuçiqit

Nis protesta më e madhe e mbajtur deri më tani në Beograd kundër Vuçiqit

Protestë e madhe në Beograd. Thirrjes së studentëve për bllokadë iu përgjigjën qytetarë të shumtë nga e gjithë Serbia.

“Unë mendoj se njerëzit janë shumë të zemëruar dhe se kjo do të përshkallëzohet, nuk po flas për studentët, por njerëzit nuk kanë ardhur sot këtu për të shëtitur. Unë mendoj se për të gjithë është mjaft. Dyshoj se do të kalojë paqësisht, sepse pala tjetër nuk do paqe”, tha Mlladen Knezeviq, Protestues.

Mijëra qytetarë u mblodhën në rrugët e Beogradit gjatë gjithë natës për t’i mirëpritur studentët që shkuan në kryeqytetin e Serbisë në këmbë nga skajet e largëta të vendit.

Duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin “studentë, Beogradi është i juaji”, qytetarët i pritën studentët me medalje dhe lule.

“Ne kemi ardhur këtu të përpiqemi dhe të luftojmë për një Serbi më të mirë, që e nesërmja të jetë më e mirë për ne dhe shpresoj se do t’ia dalim”, tha Uros Nenadoviq, Student nga Beogradi.

“Kam ardhur për të mbështetur miqtë e mi, kolegët dhe të gjithë qytetarët që mendojnë për veten e tyre, për të luftuar për një Serbi më të drejtë dhe në një farë mënyre për të nderuar viktimat e tragjedive që ndodhën ndër vite për të cilat askush nuk u mbajt përgjegjës”, tha Marko Vukoviq, Student nga Beogradi.

“Pres një protestë paqësore dhe që kërkesat e studentëve të plotësohen përfundimisht”, tha Marija Miliq, Studente nga Beogradi.

“Unë jam këtu për të mbështetur njerëzit që erdhën nga e gjithë Serbia. Mendoj se kjo është e rëndësishme për moralin e protestës dhe ne nga Beogradi duhet t’i mirëpresim ata”,tha Aleksa, Student nga Beogradi.

Një numër i madh i forcave policore dhe xhandarmërisë serbe janë angazhuar në qendër të Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti “do t’i ndërmarrë të gjitha masat” për të siguruar paqe dhe paralajmëroi arrestimin e atyre që shkaktojnë incidente. Studentët i kanë bllokuar fakultetet anembanë Serbisë për më shumë se tre muaj. Studentët në bllokadë, ndër të tjera, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button