Daçiq i shkroi kreut të FBI-së, kërkimi i ndihmës në hetimin për përdorim të topit zanor
Daçiq i shkroi kreut të FBI-së, kërkimi i ndihmës në hetimin për përdorim të topit zanor

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka shkruar drejtorit të FBI-së, Kash Patel, duke kërkuar ndihmë nga amerikanët në analizat e ekspertëve bazuar në njohuritë dhe përvojën e tyre në fushën e përdorimit të pajisjeve që lëshojnë valë zanore, njoftoi Ministria e Brendshme e Serbisë.
Në deklaratë thuhej se ndihma ishte kërkuar për shkak se Ministria e Brendshme po përballej me akuzat publike dhe mediatike se policët përdorën një top zanor gjatë një proteste në Beograd më 15 mars.
Daçiq më herët ka deklaruar se policia serbe asnjëherë nuk ka përdorur mjete ilegale, duke përfshirë edhe topin zanor. Ai theksoi se mjete të tilla nuk janë përgatitur apo përdorur dhe se policia nuk do t’i përdorë në të ardhmen.
Megjithatë, qytetarët dhe disa ekspertë shprehen të bindur se në protestë është përdorur një top zanor. Momenti i diskutueshëm ndodhi teksa protestuesit nderuan viktimat e aksidentit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit gjatë një proteste në Beograd. Për një arsye të panjohur u krijua një rrëmujë dhe njerëzit filluan të ikin.