Kontrolle në objektet hotelierike në Tetovë dhe Gostivar, mbyllen dy prej tyre
Kontrolle në objektet hotelierike në Tetovë dhe Gostivar, mbyllen dy prej tyre

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Gjatë një aksioni policor në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit janë mbyllur dy objekte hotelerie nga 16 sa ishin kontrolluar. Nga MPB thonë se në bashkëpunim edhe me policinë financiare, Inspektoratin Shtetëror të tregut dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë kryer kontrolle për shkatërrimin e aktiviteteve kriminale në objekte hotelierike, tregtinë me drogë, ndërmjetësimin për prostitucion, larje parash dhe vepra të tjera penale korruptive
“Janë kryer kontrolle në 16 objekte hotelierike, 10 në Tetovë dhe 6 në Gostivar, tek të cilët janë konstatuar një sërë parregullsish dhe nga ana e Inspektoratit të Tregut dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, do u shqiptohen kallëzime adekuate penale, derisa nga ana e Inspektoratit, janë mbyllur dy objekte në Tetovë”, thonë nga MPB.
Këto kontrolle janë vazhdimësi i aksioneve policore, pas tragjedisë në Koçan me 59 viktima ku u konstatua se i njëjti ka funksionuar me licencë të falsifikuar.
Gjatë ditës së djeshme, Qeveria njoftoi se nga 12 objektet tek të cilat janë kryer kontrolle e të cilat kanë pasur licenca aktive, tre prej tyre nuk i kanë plotësuar kushtet minimale teknike për të operuar dhe të njëjtave do u hiqen licencat. Përpos kësaj, kundër tyre do të shqiptohen edhe gjoba.
Nga Qeveria njoftuan se në terren janë mbi dhjetë ekipe ndërsa do të kontrollohen edhe subjekte që nuk kanë licencë të vlefshme, por që kanë operuar në të kaluarën. Deri tani janë kryer kontrolle në më tepër se 60 objekte ndërsa shumica e tyre nuk plotësojnë kushtet për funksionim.
Nga lista që publikoi dje ministria e ekonomisë, nga 215 klube nate, licenca të vlefshëm kanë vetëm 22 prej tyre./ Alsat.mk