Kocevski: Të gjithë të dyshuarit janë të ndaluar, përveç 3 prej tyre që janë në spital

Kocevski: Të gjithë të dyshuarit janë të ndaluar, përveç 3 prej tyre që janë në spital

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Procedurë hetimore ndaj 34 personave, 24 prej tyre persona fizikë, 3 juridikë dhe 7 nëpunës policorë, të gjithë të dyshuar për vepra të ndryshme penale që kanë të bëjnë me djegien e kabaresë PULSE në Koçan, ku humbën jetën 59 persona.

“Për këta persona ekziston dyshimi se si bashkë kryerës, kanë kryer vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme. Të gjithë të dyshuarit në periudhën prej vitit 2012 deri në 16 mars të këtij viti, secili sipas kompetencave të tyre fare nuk kanë vepruar sipas rregullave dhe masave për mbrojtje dhe me këtë kanë shkaktuar rrezik për sigurinë e përgjithshme mbi jetën dhe trupin e njerëzve por edhe patundshmërive”, deklaroi Lupço Kocevski – Kryeprokuror.

Tre të dyshuarit e parë janë qiramarrësi, pronari i objektit dhe bartësi i pronës ku ndodhet vet objekti. Qiramarrësi ka dhënë ryshfet te një nëpunës i Ministrisë së Ekonomisë, për të fituar licencë për punë, edhe pse objekti nuk i ka përmbushur as kushtet minimale. I dyshuar është edhe një nëpunës i Ministrisë së Ekonomisë pasi ka pranuar ryshfet për dhënien e licencë për punë. E dyshuar është edhe një pronare e personit juridik e cila nga viti 2010, disa herë ka bërë ndryshime të projekteve të objektit duke mos kryer asnjë mbikëqyrje e asnjë inspektim. Të dyshuar janë ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish sekretarja shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë Razmena Çekiç, udhëheqës sektori, udhëheqës reparti dhe një bashkëpunëtor i ri, pasi asnjëri prej tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim dhe nuk kanë vepruar sipas rregullores për të parandaluar veprimtarinë e kabaresë. Të dyshuar janë edhe dy ish drejtorë të Inspektoratit të Tregut, në mesin e të cilëve Goran Trajkovski por edhe tre inspektorë, pasi që nga viti 2020, ata asnjëherë nuk kishin kryer kontrolle në kabarenë nëse ka licencë dhe nëse i përmbushë kushtet për punë. Të dyshuar janë edhe tre ish kryetarë komunash, Nikollço Iliev, Ratko Dimitrovski dhe Lupço Papazov. Bashkë me ta edhe një ish drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza. Sipas Prokurorisë që të gjithë, nuk kanë kryer obligimet e tyre dhe kanë lejuar që kabareja të funksionojë. Madje komuna, ka marrë pagesa nga objekti. Në Inspektoratin e Tregut dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, hetimet vazhdojnë edhe për persona të tjerë. I dyshuar është edhe njëri prej anëtarëve të grupit muzikor por edhe shitësi i biletave. Gjashtë të dyshuar janë nga kompania e sigurimit, përfshirë dhe pronarin e kompanisë së sigurimit. Shtatë të fundit, janë nëpunësit policorë të cilët kanë dhënë pëlqime për kushtet e kabaresë dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë për të parandaluar punën e objektit.

“Shtatë nëpunës policorë nga Shtipi dhe Koçani të cilët si bashkë kryerës, duke përgatitur, nënshkruar dhe miratuar pëlqime, i kanë mundësuar personit juridik të fitojë licencë për kryerjen e veprimtarisë hotelierike – kabare edhe pse nuk i ka përmbushur obligimet ligjore për punë”, tha Lupço Kocevski – Kryeprokuror.

Siç njoftoi Kocevski, të gjithë të dyshuarit janë të ndaluar dhe për të gjithë kërkohet paraburgim prej 30 ditëve. 3 nga të dyshuarit janë në mesin e të lënduarve dhe po kurohen brenda dhe jashtë vendit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button