Arrestohet dhunuesi nga Radovishi që e godiste bashkëshorten drejtpërdrejt në “TikTok”
Arrestohet dhunuesi nga Radovishi që e godiste bashkëshorten drejtpërdrejt në "TikTok"

Gazetar: Mihajllo Donev
Pasi në rrjetin social “TikTok” u shfaq video ku shihet një burrë nga Radovishi duke dhunuar fizikisht një grua, policia e ka thirrur në pyetje të dielën, por viktima ka refuzuar të ngrejë akuzë, duke thënë se videoja është e vjetër dhe se është postuar nga nëna e saj në mënyrë që ajo të prishë martesën e saj.
“Me gruan e sulmuar është bërë bisedë zyrtare, në prani të një punonjëseje sociale nga Institucioni publik Qendra ndërkomunale për çështje sociale- Radovish, ku ajo ka thënë se incizimi ka qenë nga korriku i vitit 2024”, deklaroi Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së.
Edhe pse viktima nuk e ka denoncuar, rasti do të vazhdojë të trajtohet nga prokuroria e Radovishit pas kallëzimit penal të policisë dhe ende nuk është vendosur nëse autori në video do të ndalohet.
“Procedura për personin në bazë të kallëzimit penal është duke vazhduar. Ndër të tjera do të shqyrtohet nëse në këtë rast konkret ka bazë për ndalimin e tij. Organet e prokurorisë publike dhe hetimore kanë për obligim që të veprojnë vetëm në bazë të provave”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.
Në videon në rrjetet sociale, autori shihet duke përdorur fjalë fyese për të ofenduar dhe rrahur gruan, e cila thuhet se është shtatzënë. Përveç kësaj video, në rrjetet sociale kanë nisur të përhapen edhe incizime tjera të të njëjtit autor që ka abuzuar me gruan dhe tashmë ndaj tij ka proces aktiv për ushtrim të dhunës ndaj një viktime tjetër. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria bëjnë të ditur se do të vijojnë me veprimet për zbardhjen e plotë të rastit. /Alsat.mk