SHBA-ja dhe Rusia zhvillojnë bisedime në Stamboll, Ukraina s’është në agjendë

SHBA-ja dhe Rusia zhvillojnë bisedime në Stamboll, Ukraina s’është në agjendë

Delegacionet amerikane dhe ruse kanë mbërritur të enjten për bisedime në Stamboll për normalizimin e punës së misioneve të tyre diplomatike, pasi lufta në Ukrainë shkaktoi konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që nga Luftës së Ftohtë.

Bisedimet do të drejtohen nga ambasadori i ri i Rusisë në Uashington, Alexander Darchiev dhe zëvendësndihmëssekretarja e Shtetit, Sonata Coulter, ka njoftuar ministria e Jashtme e Rusisë, raporton Reuters.

Fokusi kryesor, sipas Moskës dhe Uashingtonit, është rivendosja e punës së misioneve diplomatike, pasi disa vite tensione, pretendime të ndërsjella të frikësimit dhe madje edhe ngrirje e pronës diplomatike, ndërlikuan marrëdhëniet midis dy fuqive bërthamore.

“Ukraina nuk është absolutisht në rendin e ditës”, ka thënë të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

“Këto bisedime fokusohen vetëm në operacionet e ambasadave tona, jo në normalizimin e një marrëdhënieje dypalëshe në përgjithësi, gjë që mund të ndodhë, siç e kemi theksuar, vetëm pasi të ketë paqe midis Rusisë dhe Ukrainës”, ka shtuar ajo.

Si Moska ashtu edhe Uashingtoni janë ankuar vitet e fundit për vështirësitë në marrjen e kredencialeve për diplomatët e tyre, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë funksionimin e ambasadave të tyre.

Rusia ka thënë se edhe pagesa e diplomatëve është bërë e vështirë për shkak të kufizimeve perëndimore, ndërsa diplomatët amerikanë thonë se lëvizjet e tyre janë të kufizuara në Rusi. Të dyja palët janë ankuar për frikësim.

Ndër çështjet që do të diskutohen mes tyre është edhe prona diplomatike.

Uashingtoni ka vënë nën kufizime gjashtë prona ruse, duke përfshirë pasurinë Killenworth në Long Island, Pioneer Point “dacha” në Maryland, konsullatat ruse në San Francisko dhe Seattle dhe misionet tregtare në Uashington dhe Nju Jork.

LEXO EDHE:

Back to top button