Keri Hilson e penduar për këngën kundër Beyoncet
Keri Hilson e penduar për këngën kundër Beyoncet

Këngëtarja Keri Hilson ka folur hapur për këngën e saj të vitit 2009, e cila u interpretua si një sulm apo “diss” ndaj këngëtares Beyoncé dhe që i kushtoi shumë në karrierë.
Gjatë një interviste në emisionin “The Breakfast Club”, Hilson ka pranuar se kënga “Turnin’ Me On (Remix)” është një nga pendimet më të mëdha të saj, por ka theksuar se nuk ishte ideja apo teksti i saj.
“Është një pendesë. Por jo në mënyrën që njerëzit mendojnë, sepse unë nuk e kam shkruar atë këngë. Nuk janë fjalët e mia”, ka thënë Hilson, ka raportuar Entertainment Weekly.
Sipas saj, producenti Polow da Don, që punonte me të në atë kohë, ishte i vendosur që të realizohej një version “remix” i këngës, dhe kur ajo shkoi në studio, u përball me një tekst që nuk donte ta interpretonte.
“Hyra në studio dhe më shtyri ta dëgjoja vargun. Automatikisht i thashë: ‘Unë nuk do ta them këtë’. Ishte pozicioni im”, ka treguar tutje Hilson.
Vargjet në fjalë përfshinin fraza si: “Mendon se je më e mira, por nuk je / Ajo mund të kërcejë, mund të këndojë, por duhet të lëvizë ” to the left, to the left’ / Duhet të bëjë fëmijë dhe të ulet, është e rreme…”.
Hilson u përpoq të shkruante një version të vetin, por tha se iu bë presion nga Polow dhe njerëzit rreth tij.
“Isha në lot, nuk doja ta bëja. Por më thanë: ‘Nëse nuk e bën, albumi yt nuk del’. Ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për karrierën time. Isha shumë e re, ndihesha pa fuqi, si të mos kisha zgjidhje”, ka thënë tutje këngëtarja.
Ajo ka shpjeguar se, megjithëse e ka incizuar edhe versionin e saj. Versioni me tekstin e diskutueshëm u publikua pa miratimin e saj, një lëvizje që, sipas saj, ishte pjesë e një plani të qëllimshëm nga producenti.
“E mbrojta producentin, e mbrojta vajzën që e shkroi, e cila më vonë u bë e famshme. E kam ngrënë unë gjithë barrën dhe ende po e ha. Është si të mbash një ‘shenjë turpi’”, ka theksuar tutle Hilson.
Pas daljes së intervistës, këngëtarja dhe autorja Ester Dean, e njohur edhe nga filmi “Pitch Perfect”, ka pranuar se ishte bashkautore e tekstit dhe ka kërkuar falje.
“Kam shkruar shumë versione te tekstit të asaj kënge. Njëri u zgjodh dhe e kam shkruar bashkë me Kerin. Kur e vështroj situatën tash, e shoh se ishte diçka fëmijërore dhe nuk është se shkoi mirë. Më vjen keq për pjesën time. Rritja është reale, dhe edhe kjo kërkim falje është e sinqertë”, ka thënë Dean përmes llogarisë së saj në rrjetin social Instagram.
Në fund, Hilson ka sqaruar se pavarësisht gjithçkaje, ka respekt të madh për Beyoncén.
“Nuk kam frikë prej saj. E dua. Mendoj se është e jashtëzakonshme. Është një nga artistet më të mëdha të të gjitha kohërave. Kam qenë dhe mbetem fanse e saj”, ka thënë Hilson.