Jean-Claude Van Damme i cilëson “të shpifura” dhe “të pavërteta” akuzat ndaj tij
Jean-Claude Van Damme i cilëson “të shpifura” dhe “të pavërteta” akuzat ndaj tij

Aktori belg Jean-Claude Van Damme, i njohur për rolet e tij në filmat aksion, i ka quajtur “të shpifura” dhe “tërësisht të pavërteta” akuzat ndaj tij për përfshirje në një rast të trafikimit të grave në Francë.
64-vjeçari, i njohur për rolin e tij në filmin “Street Fighter”, është akuzuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me gra që dyshohet se janë trafikuar nga një grup kriminal i drejtuar nga Morel Bolea.
Në një deklaratë të re për revistën PEOPLE, e përkthyer nga frëngjishtja, përfaqësuesi i Van Dammet, Patrick Goavec, ka thënë se është në dijeni për artikujt që e akuzojnë aktorin për një aferë që supozohet të ketë ndodhur në Kanë.
“Jemi vënë në dijeni për disa artikuj që pretendojnë për një aferë të supozuar në Kanë, ku përmendet zoti Jean-Claude Van Damme. Faktet e raportuara janë njëkohësisht groteske dhe të pakuptimta. Zoti Van Damme nuk dëshiron të komentojë apo të ushqejë këtë thashetheme, që është aq absurde sa është edhe e pabazë”, ka thënë përfaqësuesi.
Sipas akuzave, Van Damme ka marrë si “dhuratë” pesë gra rumune në Kanë, duke e ditur paraprakisht se ato vinin nga një rrjet trafikimi.
Avokati Adrian Cuculis, i cili përfaqëson një prej viktimave, ka thënë për PEOPLE se pesë gratë ndodheshin në gjendje të cenueshme.
“Të pestat ndodheshin në një gjendje të cenueshme, me dyshimin se ishin viktima të shfrytëzimit, në përputhje me nenin 182 të Kodit Penal”, ka thënë Cuculis.
Ai ka shtuar gjithashtu se disa shtetas rumunë, të cilët aktualisht janë nën hetim për krijimin e një grupi kriminal dhe trafikim, dyshohet se i kanë ofruar Van Dammeit pesë gra rumune, modele në Rumani, që ai të kryente marrëdhënie seksuale me to.
“Personi që ka përfituar nga kjo ‘dhuratë’ ka qenë në dijeni për gjendjen e tyre”, ka shtuar Cuculis.
Një grua, që pretendon se ka qenë dëshmitare e ngjarjes, pretendohet se ka folur me prokurorët, gjë që ka çuar në hapjen e një hetimi nga autoritetet rumune kundër trafikimit të qenieve njerëzore, një proces që kishte nisur që në vitin 2020.
Burimi rumun tha për Antena 3, se për shkak se ngjarja e pretenduar ka ndodhur në Francë, Gjykata e Lartë në Paris duhet të autorizojë vijimin e hetimeve për këtë çështje. Më pas, të dyshuarit do të thirren në Rumani për të dhënë deklaratë.
Ndërkohë, Van Damme është shprehur më parë, se kur ishte i ri donte të ishte “burri macho”, një qasje që solli përplasje me aktorin tjetër të filmave aksion, Steven Seagal.
“Nuk kam asnjë problem me Steven. Kur je i ri, do të tregosh veten si burri i fortë. Nëse do ta shihja sot, nuk do të kisha asnjë problem me të”, pati thënë Van Damme për Daily Mail.