Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare
Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare

Më 10 prill 1921 lindi Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare dhe më pas i Teatrit të Operas dhe Baletit.
Krantja hodhi bazat e dirigjimit operistik në vend, duke u bërë drejtues i mjaft koncerteve, operave dhe baleteve të para, që Teatri i Operas e Baletit vuri në skenë.
Gjatë disa dekadave drejtoi një numër të madh premierash të kompozitorëve shqiptarë dhe të kompozitorëve botërorë në të gjitha gjinitë, që nga kënga deri tek opera e baleti, ndër të cilat: “Rusallka” (operën e parë të vënë në skenë në Shqipëri); “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Traviata” etj.
Kontributi i tij ka vijuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Tiranës dhe si pedagog i dirigjimit në Institutin e Lartë të Arteve.
Krantja njihet gjithashtu si kompozitor i mjaft veprave muzikore, vokale e simfonike dhe një publicist i palodhur, nga pena e të cilit kanë dalë një numër i madh artikujsh të ndryshëm të artit muzikor, emisione të ndryshme televizive e intervista.
Për karrierën e tij artistike është nderuar me çmime, urdhra e medalje të shumta, si: Urdhri i Punës të klasit të parë dhe të dytë; Urdhri “Naim Frashëri” i klasit të Parë, titulli “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, medalja e nderit nga Opera e Bakut, medalja “Anëtar Nderi i Përjetshëm” e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Artit dhe Letërsisë me seli në qytetin e Brindizit (Itali), medalja “A. Dvorzhak” nga Ministri i Kulturës i Republikës Çeke, si edhe mban titullin e lartë “Nder i Kombit”. / KultPlus.com