“Tridenti” aktual i Barçës me 82 gola. A do ta arrijnë MSN-në e famshme?

Këtë edicion, mes vështirësive ekonomike dhe polemikave të shumta, po rilind një Barça e madhe, kjo është e dukshme. Një skuadër që ka në përbërje emra si Kubarsì, Balde, Pedri, Gavi dhe Jamal, vendalinjtë e rinj rreth të cilëve po ndërtohet një projekt afatgjatë.
Ka gjithashtu një treshe sulmuese të jashtëzakonshme. Ajo u formua në verën e vitit 2022, por vetëm dy vite më vonë, me ardhjen e trajnerit gjerman Hans-Dieter Flick, ka shpërthyer përfundimisht. Barcelona është një nga katër skuadrat në Europë, ende në garë për tripletën. Mbi të gjitha, është skuadra me treshen më të mirë sulmuese në Europë, sepse sot, duke i mbledhur golat e tyre, arrijnë kuotën e 82 golave: 40 nga Levandovski, 28 nga Rafinja dhe 14 nga Jamal. Këto janë shifra shumë të rëndësishme, që nuk kanë të krahasuar në kontinent dhe që deri në fund të sezonit mund të afrohen me ato të MSN-së, domethënë treshes që nga viti 2014 deri më 2017 ishte një nga më të mirat në histori: Mesi-Suarez-Nejmar.
Ajo skuadër, në tri sezone fitoi dy kampionate (La Liga), tri Kupa të Mbretit, një Ligë të Kampionëve, një Superkupë Europe, një Kupë Bote për Klube dhe një Superkupë të Spanjës. Dhe gjithmonë arriti ta tejkalonte kuotën e 100 golave vetëm me treshen sulmuese.
Kishte shifra që ndoshta edhe sot janë të paarritshme, por të shohësh Jamal-Levandovski-Rafinja do të thotë të admirosh atë që i afrohet më shumë atij sulmi të famshëm.
Golat e MSN (2014-2017)
Sezoni 2014/15 – 122 gola
Lionel Messi: 58 gola
Nejmar: 39 gola
Luis Suarez: 25 gola
Sezoni 2015/16 – 131 gola
Luis Suarez: 59 gola
Lionel Messi: 41 gola
Nejmar: 31 gola
Sezoni 2016/17 – 110 gola
Lionel Messi: 54 gola
Luis Suarez: 36 gola
Nejmar: 20 gola
Golat e treshes aktuale të Barcelonës:
Sezoni 2024/25 (ende në vazhdim) – 82 gola
Robert Levandovski: 40 gola
Rafinja: 28 gola
Lamine Jamal: 14 gola