Pushteti paralajmëron goditje të fuqishme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që pengojnë drejtësinë
Pushteti paralajmëron goditje të fuqishme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që pengojnë drejtësinë

Gazetar: Mihajllo Donev
Pushteti paralajmëron aksion edhe më të ashpër kundër të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve që pengojnë drejtësinë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Veljanovski, në intervistë për TV Alsat duke komentuar vendimin e Këshillit Gjyqësor për të arsyetuar dënimin me dy vjet burg për shoferin që përplasi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristovska nga Tetova, tha se kjo është dëshmi se instalimet e qeverisë së mëparshme në sistemin gjyqësor, ende funksionojnë.
“Një pjesë e vogël e korruptuar dhe kriminale e gjykatësve dhe prokurorëve ndikon drejtpërdrejt në nderin e gjykatësve dhe prokurorëve që duan të kryejnë me nder punën e tyre. Në këtë drejtim, në periudhën e ardhshme do të godasim edhe më fuqishëm kriminelët në gjykata dhe në prokurori, sepse njëherë e përgjithmonë duhet ta sjellim drejtësinë te qytetarët, dhe ajo drejtësi të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, deklaroi Aleksandar Veljanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Lufta do të zhvillohet edhe në Kuvend përmes komisioneve të reja hetimore, por shton se deputetët fillimisht do të përpiqen t’u japin përgjigje qytetarëve për tragjeditë e pazbardhura të së kaluarës.
“Do të fillojmë fillimisht me rastet që nuk janë zbardhur, siç është rasti me spitalin modular në Tetovë, për të cilin e dini që faji më i madh iu faturua një kabllo vazhdues dhe që ende, deri më sot, nuk kemi as zgjerim të aktakuzës e as vendime efektive për fajtorët e vërtetë në procedurë. Duhet të hetojmë edhe se kush jepte leje për autobusë të parregullt që të lëviznin me pasagjerë pa pengesë, qindra e qindra herë”, tha Aleksandar Veljanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Tragjedia në Koçan gjithashtu do të jetë në rend dite në Kuvend ndërsa Veljanovski tha se për këtë ende do të diskutohet nëse do të jetë në formë të debatit mbikëqyrës apo të komisionit hetimor, por theksoi se më e rëndësishmja është që çdo person i përfshirë të japë llogari për veprimet e tij. /Alsat.mk