Zelensky: Prioriteti i Ukrainës është mbrojtja ajrore
Zelensky: Prioriteti i Ukrainës është mbrojtja ajrore

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkruar në rrjetin social X se prioriteti i Ukrainës është mbrojtja ajrore dhe se është shumë e rëndësishme për Ukrainën që partnerët e saj ta dëgjojnë e ndihmojnë atë.
“Ukrainasit dinë si të jenë preciz. Ne kemi mësuar tashmë të rrëzojmë një sasi të konsiderueshme të armëve të terrorit të Rusisë”, ka shkruar Zelensky.
Ai ka shtuar se Ukrainës i duhet të forcojë sistemin ajror të mbrojtjes, në mënyrë që të mbrohet nga sulmet e vazhdueshme të Rusisë.
“Na duhet të adresojmë mungesën e sistemeve ajrore të mbrojtjes për ta bërë mbrojtjen e qiellit tonë më të fortë. Partnerët tanë mund të na ndihmojnë me këtë dhe gjithashtu të përshpejtojnë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët”, ka thënë ai.
Para fillimit të samitit në Bruksel, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kishte bërë të ditur para gazetarëve se Gjermania do të rrisë ndihmat ushtarake për Ukrainën duke ofruar katër sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T, 30 raketa shtesë për sistemet ajrore Patriot, 15 tanke Leopard, 14 sisteme të artilerisë dhe shumë municione të tjera në kuadër të paketës.
Tek ka reaguar ndaj njoftimit të Pistorius, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, ka shkruar në X se paketa do të “na ndihmojë të mbrojmë qiellin tonë… dhe të forcojmë pozicionet tona në fushëbetejë”.
“Faleminderit, Gjermani, që qëndron përkrah nesh. Së bashku do të sigurojmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Evropë”, ka shtuar Umerov.
Zelensky iu bashkëngjit samitit të mbajtur në Bruksel të premten përmes videolidhjes.