Pse duhet të ndaloni përdorimin e sapunit antibakterial?
Sapunët antibakterialë që përmbajnë kimikatin triclosan nuk janë më efektivë në largimin e baktereve nga duart tuaja sesa sapunët e zakonshëm, përfundon një studim i ri. Ky përfundim ngre pyetjen e domosdoshmërisë së përdorimit të këtij kimikati, i cilësuar si potencialisht i rrezikshëm, në sapunët antibakterialë.

Tregu i sapunit antibakterial është shumë i fortë dhe vlen një miliardë dollarë mbresëlënës në vit, vetëm në SHBA. Dhe antiseptiku më i zakonshëm i përdorur në këta sapunë, triclosan, është lidhur me rezistencën ndaj antibiotikëve, alergjitë dhe ndërprerjen e hormoneve te gjitarët. Është shqetësuese, një studim ka vërtetuar se triclosani është potencialisht kancerogjen. Këto efekte potencialisht të rrezikshme kanë bërë që Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave t’i hetojë më mirë këto sapunë dhe, nëse është e mundur, t’i ndalojë ato.
Ky studim, i publikuar në Journal of Antimicrobial Chemotherapy, hetoi efektin e sapunit antibakterial në 20 baktere të rrezikshme, si Escherichia coli, Listeria monocytogenes dhe Salmonella enteritidis. Një ekip shkencëtarësh vendosi bakteret në enët Petri me sapun antibakterial ose të zakonshëm. Më pas ata i ngrohën enët në 22°C ose 40°C për 20 sekonda, duke simuluar ekspozimin ndaj ujit të nxehtë dhe të valë.
Pas kësaj, ata testuan sapunin antibakterial në jetën reale, jo vetëm në laborator. Vullnetarët lejuan që duart e tyre të mbuloheshin me bakterin Serratia marcescens (një specie që zakonisht gjendet në banjë) dhe iu kërkua të lanin duart për tridhjetë sekonda duke përdorur sapun të rregullt ose një sapun antibakterial që përmban 0.3% triclosan, maksimumi i lejuar në produktet e shitura në BE, Kanada, Australi, Kinë dhe Japoni.
Pasi nuk arritën të gjenin një ndryshim në efektivitetin në këtë drejtim midis sapunëve, shkencëtarët u përpoqën të përcaktonin se sa triclosan nevojitej për të vrarë bakteret. Duke përdorur të njëjtin përqendrim si më parë, ata vërtetuan se ishte efektiv vetëm pasi mikroorganizmat ishin zhytur në të për më shumë se 9 orë.
Shkencëtarët sugjerojnë që njerëzit që blejnë sapun antibakterial duhet të paralajmërohen se mund të mos jetë aq efektiv sa pretendohet kur përdoret me larje normale të duarve. “Duhet të ndalohet në mënyrë që të hetohen efektet e produkteve që mund të ngatërrojnë përdoruesit”, tha Ri Min-suk, bashkëautor i studimit.