Integrimi në BE, ndërkombëtarët kërkojnë bashkëpunim mes grupeve parlamentare për zbatimin e reformave

Integrimi në BE, ndërkombëtarët kërkojnë bashkëpunim mes grupeve parlamentare për zbatimin e reformave

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deputetët, edhe pse shumë të paktë në numër me prezencë sot në Kuvend, dëgjuan për Agjendën e reformave për vitin 2024-2027 që lidhet me planin për rritje dhe me procesin eurointegrues. Pothuajse të gjithë të pranishmit folën për rolin që ka Kuvendi, në zbatimin e agjendës reformuese dhe për rolin mbikëqyrës të këtij procesi. Kreu i Kuvendi Afrim Gashi tha se Kuvendi ka gatishmëri dhe detyrim që çdo reformë ta trajtojë me prioritet maksimal.

“Duhet ta pranojmë se pas harmonizimit të legjislaturës tonë në masë të madhe me atë të BE-së, u dëshmua se sfidat e vërteta për ne nuk kanë qenë asnjëherë çështjet e reformave por, për fat të keq, çështjet e identitetit. Rruga jonë drejt BE-së s’ka qenë e lehtë. Ka kërkuar dhe kërkon flijim. Por këtë herë, është e vetmja herë që ja vlen dhe drejt së cilës jemi orientuar. Kjo rrugë kërkon guxim për ndryshim, durim për t’u përballur me sfidat dhe pengesat dhe parashikim për t’i bashkuar fuqitë tona”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Pushteti dhe opozita folën për nevojën e konsensusit brenda Kuvendit dhe mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv.

“Nuk ekziston asnjë burim tjetër mjetesh apo huazim për të investuar në çështjen kyçe e që është kapitali njerëzor. Vetëm kështu do të shohim rezultate të dukshme, kur të investojmë në ekonomi të hapur, në ekonomi që bazohet në njohuri dhe në sistemin arsimor. Është koha të shohim një perspektivë tjetër, të punojmë për çfarëdo që kemi në tavolinë, cilado që të jetë pengesa përpara nesh. Të bashkojmë kapacitetet tona sepse kur jemi të bashkuar nuk ka pengesë që nuk mundemi ta mposhtim”, theksoi Venko Filipçe, Kryetar i Këshillit nacional për eurointegrime.

“Duhet ta përforcojmë funksionin kontrollues të Kuvendit, të kemi sa më shumë debate publike dhe debate mbikëqyrëse që lidhen me zbatimin e reformave të kësaj agjende Evropiane të cilën Maqedonia e pranoi dhe mbi bazën e të cilës do të vlerësohet përparimi ynë”, theksoi Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për çështje evropiane.
Reformat nuk janë vetëm çështje ligjesh, por çështje lidershipi me llogaridhënie dhe transparencë, tha ministri për Eurointegrime Orhan Murtezani.

“Përforcimi i sundimit të ligjit është themeli i agjendës së reformave. Sigurimi i gjyqësorit të pavarur dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është esenciale, jo vetëm si kusht për aderim drejt Bashkimit Evropian, por si e drejtë themelore e secilit qytetar”, deklaroi Orhan Murtezani, Ministër për Eurointegrime.

Ndërkombëtarët kujtuan deputetët për rëndësinë e shfrytëzimit të mjeteve nga plani i rritjes përmes zbatimit të reformave, gjë që do ta afrojë vendin në Bashkimin Evropian. Ata thanë se partitë mund të sigurojnë dialog dhe konsensus në Kuvend.

“Parlamenti ka një rol kyç për përforcimin e sistemin “check and balance”, veçanërisht në funksionin e tij mbikëqyrës dhe të sigurojë që negociatat që i drejton qeveria janë në interesin më të mirë të shtetit por gjithashtu që të sigurojë që agjenda e reformave zbatohet me efikasitet. Parlamenti mund ta ndihmojë konsensusin politik. Bashkëpunimi ndërpartiak është kyç për krijimin e konsensusit politik në mbështetje të integrimit dhe agjendës së reformave”, u shpreh Veronica Holman, Ambasadore e Zvicrës.

“Ne llogarisim në dialog konstruktiv dhe të vazhdueshëm mes aktorëve politik që të kthejnë planin e reformave në një realitet. Rruga e zbatimit të agjendës së reformave dhe e integrimit duhet të mbetet një projekt nacional për të gjithë aktorët politik që të sigurojnë se vendi arrin synimet e tij strategjike”, u shpreh Ben Nupnau, Zv.ambasador i BE-së.

Agjenda e reformave parashikon një sërë masash që vendi duhet të zbatoje deri në vitin 2027 në fushën e luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, etj. Zbatimi i agjendës lidhet me planin e rritjes përmes të cilit vendi merr ndihmë financiare nga BE-ja. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button