Dështoi edhe tentativa e 11-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës
Dështoi edhe tentativa e 11-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës. Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se është jokushtetuese mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se deputetët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ndërsa kryetar i Nismës, Limaj tha se nuk votojnë diçka që është në kundërshtim me praktikën parlamentare.
“Nuk mund të votojmë diçka që ne besojmë që është në kundërshtim me praktikën parlamentare. Ka filluar votimi i hapur dhe sikurse të kishte filluar me fillim me këtë është e lejueshme edhe me rregullore edhe me ligj dhe nuk kishte pas asnjë problem, por kur ka filluar votimi i hapur duhet të përfundoj kështu sipas të gjitha praktikave parlamentare. Dëshirojmë të respektohet edhe praktika edhe ligji”, deklaroi Fatmir Limaj, Kryetar i Nismës Socialdemokrate.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61. Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet. /Alsat.mk